E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera: Vitin e ardhshëm, rritje të pagesave të ndihmës ekonomike

Evidentoni rastet e personave që përfitojnë në mënyrë të pamerituar nga skema e ndihmës ekonomike. Në rast se do të kemi "zbulim" të tyre, do të merret menjëherë masa për ndërprerje të pagesës dhe do të nisin procedurat për ndjekje penale. Këto kanë qenë mesazhet kryesore të dhëna dje nga ministri i Shanseve të Barabarta. Kreu i Ministrisë së Punës, Spiro Ksera, zhvilloi dje një takim me drejtorët e zyrave rajonale të shërbimit social për t‘u informuar rreth ecurisë së menaxhimit të skemës së ndihmës ekonomike dhe për të kërkuar sugjerime dhe propozime për përmirësimin e legjislacionit në këtë fushë.

"Me gjithë përpjekjet e bëra, skema nuk është pastruar ende nga abuzimi dhe, për fat të keq, ka familje që edhe pse në varfëri, apo varfëri ekstreme, nuk janë të përfshira në këtë skemë. Ministri kërkoi nga drejtoritë rajonale dhe inspektorët e tyre përgjegjshmëri më të madhe në kryerjen e detyrës, bashkëpunim të ngushtë dhe në vazhdimësi me njësitë vendore dhe administratorët për menaxhimin e skemës, në përpjekje të përbashkëta për zgjerimin e abuzimeve me këtë skemë", tha gjatë takimit Ksera. Sipas tij, qeveria është e vendosur që të rrisë mbështetjen për shtresat në nevojë dhe që vitin e ardhshëm do të rrisë ndjeshëm fondet për mbështetjen sociale.

Ministria e Punës është në proces të rishikimit të legjislacionit në fushën sociale, ku parashikohet reformim i plotë i skemës së ndihmës ekonomike. "Kjo rritje buxheti duhet të shoqërohet nga ana juaj me inspektime më të ashpra dhe me masa të menjëhershme për abuzuesit", theksoi ministri. Ai kërkoi që, për çdo rast të evidentuar të abuzimit me skemën e ndihmës ekonomike të zbatohet pa hezitim ligji, që nga ndalimi i pagës së administratorit deri në dërgim për ndjekje penale për personat përgjegjës. Ministri kërkoi nga drejtoritë rajonale që të mos mjaftohen vetëm me kontrollin e dokumentacionit të personave që përfitojnë ndihmë ekonomike, por të inspektojnë gjendjen në terren dhe të verifikojnë konkretisht familjet në nevojë.

Drejtorët rajonalë raportuan mbi ecurinë e kontrolleve dhe problematikën e hasur në përfshirjen në skemë të familjeve në nevojë, duke u angazhuar se në muajt e fundit të këtij viti do të rritet numri dhe cilësia e kontrolleve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›