E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet akuzojnë bankat për punë të keqe

Drejtoria e Tatim-Taksave në Fier ka lëshuar akuza kundrejt bankave të nivelit të dytë që operojnë në të tre rrethet e qarkut. Akuzat kanë ardhur si pasojë e vonesave dhe ndonjëherë dhe mungesës së një kopjeje të formularit të pasqyrës së pagesës së sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore që bizneset paguajnë nëpërmjet bankave.

Kjo vonesë rrezikon bizneset fierake që të marrin gjoba të paqena, që mund të përsëriten vazhdimisht, pasi bankat, sipas përfaqësuesve të Tatim-Taksave të Fierit, e kanë bërë praktikë pune mospasqyrimin e pagesave.

"Bankat, gjatë kryerjes së pagesës nga ana e subjektit, duhet që të lëshojnë tre formularë, me qëllim që një kopje të na kalohet ne si institucion. Nuk mjaftohet vetëm me pagesën, por edhe me mandatin, pasi ky veprim edhe pse është kryer, cilësohet jo i saktë", thotë një nëpunës i Degës së Tatim-Taksave në Fier.

Një ankesë e tillë ka ardhur ditën e martë nga ana e tatimorëve, të cilët këto tre muajt e fundit kanë hasur shumë raste kur bizneset kanë kërkuar vërtetime për pagesat e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore dhe nuk kanë mundur t‘i tërheqin ato, pasi edhe pse janë kryer veprimet në bankë nuk ka qenë e depozituar listë-pagesa e punonjësve. Një konfuzion i tillë ka krijuar pakënaqësi nga tatimorët, të cilët edhe pse e kanë bërë disa herë këtë ankesë në rrugë institucionale, nuk kanë mundur të gjejnë rrugën e zgjidhjes. Gjithçka duket se do të bjerë në kurriz të bizneseve, të cilët do të gjobiten për mosdorëzim të listë-pagesave mujore, edhe pse faktikisht ata e kanë kryer detyrimin.

m.t.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›