Ngacmon balerinat e buzukut, ekzekutohet i riu nga Lushnja
Alkooli, provokimet dhe debatet e ashpra kanë sjellë një tragjedi në një buzuk në Durrës. Kërcimi i balerinave në një buzuk në qytetin e Durrësit duket se ka e “çorientuar” 26-vjeçarin nga Lushnja, Emiljano Sula, i cili nuk ka qëndruar indiferent, por ka filluar t’i ngacmojë ato. Të paktën kështu shprehen burimet policore, të cilat tregojnë se ngacmimet e Sulës ndaj balerinave shkaktuan një sherr mes tij dhe pronarit të lokalit, i cili përfundoi me vrasjen e të riut nga Lushnja. Ora shënonte 3:30 e mëngjesit të djeshëm kur Emiljano Sula ndodhej në një buzuk në qytetin e Durrësit, ku dyshohet të jetë tërhequr nga balerinat, ndaj dhe ka nisur t’i ngacmojë ato. Veprimet e tij kanë rënë në sy të personelit të lokalit të natës, të cilët kanë reaguar menjëherë.
Debatet
Por as pas paralajmërimit të personelit Sula dyshohet se nuk është bindur, gjë që e ka detyruar nipin e pronarit të lokalit, Saimir Mema, 32 vjeç, të debatojë me klientin Sula. Ata kanë dalë në ambientet e jashtme të lokalit, ku pas fjalëve të ndërsjella kanë filluar të godasin njëri-tjetrin me grushte. Në këtë moment dyshohet se 26-vjeçari ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar, por plumbat nuk kanë prekur asnjë person. Pas të shtënave ka dalë menjëherë pronari i lokalit, Fundim Dedja, i cili ka qëlluar me armë në drejtim të klientit të tij, Emiljano Sula, duke e lënë të plagosur rëndë. I plagosuri u transportua në Spitalin e Durrësit, por ndërroi jetë vetëm pak minuta më pas. Ndërkohë, forcat e policisë së Durrësit, të sinjalizuara për ngjarjen, mbërritën menjëherë pranë lokalit për të zbardhur rrethanat dhe autorët e krimit. Burime zyrtare nga policia thanë se vetëm pak orë më pas u zbulua se autori i dyshuar i vrasjes së të riut ishte pronari i lokalit Fundim Dedja, i cili u arrestua. Bashkë me të u prangos edhe nipi i tij, Saimir Mema, pasi njëra nga armët e gjetura në vendngjarje, tip automatik, i përkiste atij. Policia ka marrë në pyetje disa persona në cilësinë e dëshmitarëve për të sqaruar me saktësi motivet e kësaj ngjarjeje. Forcat e policisë së Durrësit arritën që në një kohë relativisht të shkurtër të identifikojnë dhe të kapin autorin e vrasjes së 26-vjeçarit Emiljano Sula në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në një nga lokalet e qytetit bregdetar.
Hetimi
Sipas të dhënave policore, ngjarja e rëndë ka ndodhur në mjediset e buzukut “Coco Bongo”, ku viktima për motive të dobëta është konfliktuar me pronarin e lokalit, Fundim Dedja. Konflikti ka nisur me fjalë fyese, janë goditur me grushte dhe më pas ka degraduar deri në përdorim të armëve jashtë ambienteve të lokalit nga të dy personat e lartpërmendur. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur rëndë Emiljan Sula, i cili ka ndërruar jetë disa minuta më vonë në spitalin rajonal të qytetit ku ishte dërguar për ndihmë mjekësore nga miqtë e tij. Nga veprimet e kryera në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja që i përkasin kalibrave të ndryshëm, 7.62 dhe 9 mm. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar dy armë automatik model 54 dhe pistoletë TT, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit balistik. Vepra penale në ngarkim të 45-vjeçarit Fundim Dedja është “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga nenet 76 278/2 të Kodit Penal.
Vodhi çantën e plazhistit, e “paguan” me pranga nga policia
Pushuesi lahej i qetë në det ndërsa nuk diktoi asgjë kur një 20-vjeçar i vodhi çantën në shezlong dhe se policia e kishte kapur dhe po e kërkonte atë që t’i kthente çantën. Gjithçka ka ndodhur mesditën e sotme në te Shkëmbi i Kavajës në Durrës, kur Maksim Plaku, 20 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Kodër Kamzë, Tiranë, u kap nga patrulla e policisë në momentin që sapo kishte kryer vjedhjen e çantës së një pushuesi dhe po largohej me shpejtësi. Punonjësit e policisë e kanë kapur menjëherë 20-vjeçarin, i cili mbante në dorë çantën e vjedhur prej tij. Pasi kanë nisur drejt komisariatit autorin e vjedhjes, efektivat e policisë kanë nisur kërkimet për të gjetur pronarin e çantës që u vodh, i cili lahej i qetë në det. Vetëm kur policia i ka kthyer çantën atëherë ka diktuar pushuesi se ç’kishte ndodhur. Sipas policisë, ka qenë vetë pushuesi Geg N., 24 vjeç, banues në zonën e Bathores në Tiranë, i cili ka bërë identifikimin e sendeve të vjedhura, 4500 lekë të rinj, 2 aparate celularë, si dhe çelësat e makinës, të cilat ndodheshin brenda në çantë, më pas ka bërë kallëzim penal ndaj 20-vjeçarit Maksim Plaku. Sipas policisë, 20-vjeçari është ndihmuar edhe nga dy persona të tjerë, për të cilët policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre. Gjithashtu policia dyshon se i arrestuari mund të jetë autori i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura në zonën e Plazhit në Durrës.
Mbytet i mituri në lumin Osum
Lumi Osum në Berat i ka marrë jetën një 13-vjeçari dje në mesditë. Ngjarja ndodhi dje në vendin e quajtur “Ura e re” në Berat, kur një i mitur është futur në lumin Osum për t’u larë, por nuk ka dalë dot i gjallë. Kanë qenë banorët e zonës që kanë konstatuar 13-vjeçarin të përpëlitej në lumë duke detyruar të futën me shpejtësi për t’i shpëtuar jetën. Ka qenë e kotë ndihma e dëshmitarëve, të cilët e kanë nxjerrë të vdekur nga lumi të miturin. Sipas tyre ai kishte hyrë në një vend të thellë të lumit ku dhe ka gjetur vdekjen. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e mbytjes së 13-vjeçarit, trupi i të cilit u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme.
I vjedh kasafortën në shtëpi, përfundon në qeli
Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka vjedhur një sasi parash në banesën e një qytetari. Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 2 çuan në qeli ditën e djeshme 22-vjeçarin Dritan Musa, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë. Burime nga policia thanë se ndalimi i tij u krye pasi nga kryerja e veprimeve hetimore rezulton se dyshohet të jetë autor i vjedhjes së shumës së parave 1600 euro, në banesën e një shtetasi. Sipas policisë, provat e administruara në vendin e vjedhjes çuan në qeli 22-vjeçarin, vendndodhja e të cilit u lokalizua falë informacioneve të siguruara në rrugë operative nga policia. Dritan Musa u arrestua me akuzën e “vjedhjes” dhe dosja në ngarkim të tij i kaloi prokurorisë.
Gjendet i dekompozuar 76-vjeçari
Policia e Korçës ka marrë njoftimin se në malin në afërsi të fshatit Dishnicë është gjetur një person i vdekur, i paidentifikuar dhe trupi tij kishte filluar të dekompozohej. Me marrjen e informacionit u formua grupi hetimor dhe u shkua në vendin e ngjarjes ku u konstatua se mbi një shkurre gjendet trupi i një personi në dekompozim e sipër. Për njohjen e kufomës është bërë njoftimi i familjarëve dhe pas njohjes së kufomës rezultoi se trupi i personit të gjetur në këtë vend i përket 76-vjeçarit Rakip Veizi, banues në Korçë. Nga tërësia e veprimeve hetimore për këtë ngjarje rezulton se ai ka vdekur nga shkaqe natyrale dhe nuk kemi të bëjmë me vdekje kriminale.
6 Gusht 2009