E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet, së shpejti Qendra Kombëtare e Aplikimeve në Energji



Vënia në efektivitet të koncensioneve në energjetikë dikton ndryshime të reja ligjore dhe institucionale të cilat pritet të finalizohen me ngritjen e Qendrës Kombëtare të Aplikimeve për Energjetikën. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, e ka konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm të reformës rregullatore. "Synimi ynë i ardhshëm është krijimi i një agjencie tjetër të modelit ‘One stop shop’ për investime në energjetikë. Qendra Kombëtare e Energjisë do ti përgjigjet me një ritëm absolutisht shumë të shpejtë të gjitha kontratave koncesionare, investimeve koncesionare në energji, të tipit të HEC-eve, por dhe investimeve të tjera jokoncesionare që kanë lidhje me investimin në parqe me erë, me të gjitha llojet e energjisë së rinovueshme, TEC-e me biomasë, energjie gjeotermale, energji diellore etj", tha zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo. Qendra e re që pritet të bëhet efektive në vitin që vjen do të jenë një zyrë “One stop shop” për të gjithë lejet që kërkohen pas marrjes së koncensionit. Aktualisht koha për marrjen e këtyre lejeve që janë 16 të tilla shkon në më shumë se 2 vjet. Qendra e Aplikimeve Energjetike është konceptuar në dy seksione, njëri do të merret me koncensionet dhe tjetri me trajtimin e veprave energjetike jokoncensionare. Kjo qendër, e treta pas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe Qendrës së Licencimit synon krijimin e një klime sa më të përshtatshme për biznesin.

Qeveria lejon procedurat e konsulencës për HEC-et mbi lumin Vjosë

Qeveria ka vendosur dje në mbledhjen e saj të radhës lejimin e procedurave të prokurimit për shërbimin e konsuencës për dhënien me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Vjosë. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 75, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2007, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 9, të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi: 1) Lejimin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të kryejë procedurat e prokurimit “Tender i hapur ndërkombëtar”, me objekt “Shërbim konsulence për projektin e kërkuar të ndërtimit me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Vjosë”. 2) Fondi limit për kryerjen e këtij shërbimi, prej 13.000.000 (trembëdhjetë milionë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. 3) Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›