E Shtunë, 31 Tetor 2026

Datat provimeve kur studentët mund të drejtohen në auditorë



Provimet e vjeshtës për studentët që ndjekin studimet me sistemin e plotë (të ditës) në Fakultetin Ekonomik do të nisin në datën 3 shtator, për të përfunduar në datën 14 të po këtij muaji. Për rrjedhojë, studentët e të gjitha viteve do të kenë vetëm katër ditë kohë në dispozicion për të shlyer detyrimet me fakultetin, si dhe për fatin e tyre të keq, kush ka më shumë se një provim të ngelur do t’i duhet që, brenda një dite, të japë më shumë se një lëndë. Kufizimi i datave për sezonin e vjeshtës ka bërë që drejtuesit e Ekonomikut të caktojnë më shumë se 10 provime të ndryshme në një datë të vetme. Ndërkohë që krejt e kundërta ka ndodhur me studentët që vijojnë studimet me kohë të pjesshme pranë Ekonomikut, për të cilët, drejtuesit janë treguar më liberalë duke i caktuar më shumë se dyfishin e kohës krahasuar me ata të ditës për dhënien e provimeve. Madje jo vetëm kaq, por për këta studentë edhe ditët e provimeve nuk do të jenë aq të ngjeshura me provime. Për studentët e sistemit të pjesshëm sezoni i provimeve të vjeshtës do të nisë në datën 6 shtator dhe do të mbyllet në datën 14.

Rregullat që duhet të ndiqen në bazë të numrit të provimeve
Në rregulloren e Universitetit të Tiranës janë përcaktuar të gjitha kriteret për riprovimet dhe mbartjen e tyre. Studenti i sistemit me shkëputje nga puna ka të drejtë të hyjë në sesionin e vjeshtës (sesioni i riprovimeve) kur ka jo më shumë se katër detyrime mësimore të pashlyera. Në këtë numër përfshihen dhe detyrimet e mbartura. Nëse detyrimet e mbartura nuk shlyhen, studenti shpallet përsëritës për vitin mësimor që ndjek. Studenti bursist humbet të drejtën e bursës për vitin që përsërit. Studenti në sistemin me shkëputje nga puna shpallet përsëritës kur mbas përfundimit të sesionit të vjeshtës, mbetet në më shumë se dy provime. Në çdo vit mësimor studenti ka të drejtë të mbartë deri dy provime dhe të provohet për to deri në dy herë në vitin pasardhës. Herën e parë, para sesionit të provimeve të dimrit, në kohën e përcaktuar në strukturën e vitit mësimor. Ndërsa herën e dytë lejohet vetëm në sesionin e riprovimeve. Studenti në sistemin pa shkëputje nga puna është i detyruar që, në vitin pasardhës, të shlyejë paraprakisht detyrimet e mbetura. Mbas kësaj, atij i lind e drejta të shlyejë detyrimet e kursit që ndjek. Studenti i vitit të fundit që, në përfundim të provimeve të kursit, rezulton me deri tre provime të palikuiduara, ka të drejtë t’i likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga Dekanati, përpara sesionit të provimit të shtetit. Studenti që shlyen këto detyrime, lejohet të hyjë në provimin e formimit ose në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, i lind e drejta e shlyerjes së këtyre detyrimeve në sesionin e riprovimeve (të vjeshtës), ndërsa diplomimi bëhet në sesionin e dimrit. Studentët e vitit të fundit, që në përfundim të sesionit të verës rezultojnë me më shumë se tre provime të pashlyera, konsiderohen përsëritës për atë vit shkollor. Në çdo fund sesioni, Dekanati i fakultetit shpall studentët përsëritës dhe ata të përjashtuar.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›