Taksat e larta doganore hedhin në protestë kompanitë prodhuese, kërkohet rishikimi
Ervin KOÇI
Biznesi vendas është i vendosur që ti shkojë deri në fund kërkesave të tij për rishikimin e një grupi taksash doganore, për të cilat qeveria ka marrë së fundi vendimin për t’i rritur. Mbajtja e lartë e një pjese të tyre por edhe mosrishikimi sipas premtimeve të disa të tjerave, ka bërë që kompanitë e ndryshme të biznesit dhe në veçanti ato të import-eksporteve, të fasonit, si dhe ato që merren me dërgimin e lëndëve të para, të gjenden në vështirësi. Kësaj peshe i janë shtuar edhe efektet negative të krizës ndërkombëtare ekonomike, e cila për shumë kompani vendase ka sjellë ndërprerjen e kontratave me partnerët e huaj. Nisur nga kjo situatë, përfaqësuesit e shoqatave të biznesit kanë zhvilluar dje një protestë përpara zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku në pritje për t’u takuar me drejtorin e Përgjithshëm Endri Pema dhe me zëvendësministrin e Financave, Florian Mima, kanë bërë të njohura dhe kërkesat e tyre. Sipas përfaqësuesve të biznesit, rritja e kohëve të fundit që u është bërë referencave për të gjitha lëndët e para që hyjnë nga vendet jo anëtare të BE-së, ka bërë që të rritet ndjeshëm kostoja e produkteve që prodhon industria në vend, ku pjesa më e madhe është mall që ka si destinacion tregjet e huaja. Rritja e kësaj takse si dhe e akcizave për një kategori të caktuar mallrash, ka bërë që biznesi të vihet përpara një kolapsi që kësaj here nuk i vjen si pasojë e rënies së porosive, por prej vet skemës të ndjekur nga qeveria që me anë të këtyre taksave kërkon të mbulojë deficitin buxhetor të krijuar kohët e fundit. Për këtë qëllim kompanitë dhe përfaqësuesit e biznesit të mbledhur dje në protestë kanë paraqitur kërkesat e tyre, duke pretenduar për disa lehtësira.
Kërkesat
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, si dhe shoqatat e tjera që përfaqësojnë komunitetet e biznesit në vend kanë kërkuar: 1) Një takim ballafaques mes përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe një përfaqësie të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve në një kohë sa më të shpejtë.
2) Argumentimin profesional e ligjor të Urdhrit nr. 8627/1 prot, datë 27.07.2009 të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Endri Pema, “Mbi vendosjen e disa indikatorëve kontrolli shtesë në vlerësimin doganor të mallrave me origjinë nga vendet jashtë BE/N-EU”. 3) Mbështetje ligjore e morale për sektorin e fasonit, në kushtet e krizës globale dhe duke marrë parasysh numrin e konsiderueshëm të të punësuarve në këtë sektor. Duke shprehur paraprakisht mirëkuptimin në lidhje me kërkesën tonë, lutemi të caktoni një datë dhe orë të shpejtë për këtë takim institucional
Të dhënat
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, tregtia me vendet jashtë BE-së zë një vend të rëndësishëm për sa i përket tregtisë së jashtme. Në bazë të këtyre të dhënave, mësohet se vlera e kësaj tregtie për eksportin drejt vendeve jashtë BE-së, të kryer një vit më parë, për muajt janar-maj ishte 8.160 milionë lekë, kurse një vit më pas, në 2009-ën, kjo vlerë është më e ulët, prej 6, 944 milionë lekësh. Për sa i përket importit, ai paraqitet më i lartë dhe në rritje progresive për vitin 2009 me vendet e BE-së, ndërsa me vendet jashtë BE-së ka pasur rënie. Kështu, në bazë të të dhënave, vlera e mallrave të importuar nga vendet e BE-së llogaritet të jetë 102,221 milionë lekë në vitin 2008, kurse në vitin 2009 kjo vlerë është 105,027 milionë lekë. Për sa i përket vendeve jashtë BE-së, vlera e mallrave të importuar është më e lartë në vitin 2008, ku llogaritet me 66,540 milionë lekë, kurse për vitin 2009 kjo shifër është 61,171 milionë lekë.
Rritja e taksave
Duket se arsyeja kryesore që çoi në marrjen e vendimeve të tilla për rritje taksash është pikërisht nevoja për para, duke rënduar më tepër bizneset shqiptare. Pas vendimit për rritjen e akcizave për mallrat e forta, kryesisht duhanin dhe pijet alkoolike, që në disa raste shkonte deri në 40 për qind, Ministria e Financave ka marrë një tjetër vendim të papritur, i cili rrit më shumë se dyfish taksat doganore për mallrat e importit që vijnë nga jashtë Bashkimit Europian. Të dhënat zyrtare tregojnë se qeveria është në nevojë për para, si pasojë e uljes së të ardhurave në buxhet, por edhe shpenzimeve të larta që ajo bëri që në fillim të vitit deri në prag të zgjedhjeve elektorale. Sipas të dhënave zyrtare, në 5-mujorin e parë të vitit, qeveria mblodhi 8 miliardë lekë më pak nga sa kishte parashikuar nga taksat. Por, nga ana tjetër, shpenzimet për investime ishin 4.1 miliardë lekë më shumë se programi, ndaj për pasojë, deficiti buxhetor ishte 31 për qind më shumë nga sa ishte parashikuar.
Taksat doganore
Pikërisht marrëveshja e lirë për tregtinë me vendet e BE-së ka bërë që të bien ndjeshëm të ardhurat nga taksat doganore. Qeveria nuk planifikon rritje të të ardhurave nga taksat në doganë. Kjo për vetë faktin, se shumë taksa doganore kanë nisur të reduktohen. Vitin e ardhshëm pritet që të vijojë reduktimi i tarifave me Organizatën Botërore të Tregtisë, apo në bazë të marrëveshjeve të tjera që vendi ynë ka nënshkruar me Bashkimin Europian. Të ardhurat nga taksat doganore do të vazhdojnë trendin rënës të tyre për periudhën 2009-2011, si rezultat i reduktimit të niveleve të tarifës doganore nga zbatimin e angazhimeve tarifore të ndërmarra në Marrëveshjen e Ndërmjetme BE-Shqipëri, OBT, CEFTA, MTL me Turqinë. Reduktimet e këtyre tarifave me OBT-në do të jenë deri në vitin 2009 dhe reduktimet thelbësore të MTL me BE, CEFTA dhe me Turqinë do të jenë më drastike gjatë 2008-2012.
6 Gusht 2009