E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN gati planin e emergjencës për ekonomitë e lënduara

Burime zyrtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar bënë dje me dije se është i gatshëm të ndihmojë vendet e lënduara nga kriza globale e financiare dhe se ka vendosur të aktivizojë një mekanizëm financiar emergjence, të përdorur për herë të parë gjatë krizës së viteve nëntëdhjetë, e cila në atë kohë goditi tregjet aziatike. Fondi që tani ka dërguar një mision të tijin në Islandë, ku qeveria ka marrë nën kontroll bankat më të rëndësishme në vend, paralajmëron se kriza aktuale, më e rënda në nivel global që nga depresioni i madh i shpërthyer në Amerikë gjatë viteve tridhjetë, mund të shkaktojë dëme afatgjata për ekonomi të ndryshme të globit.

"Dje aktivizova procedurat e emergjencës në mënyrë që FMN-ja të jetë në gjendje të reagojë me shpejtësi... për të qenë të gatshëm për ndërhyrje urgjente në disa prej vendeve në zhvillim", tha gjatë një konference shtypi drejtori i Departamentit të Menaxhimit të FMN-së, Dominik Shtraus Kahn. "Jemi të gatshëm t‘i përgjigjemi me shpejtësi çdo kërkese që mund të na bëhet nga ndonjë shtet, që përballet me probleme".

Paniku i shkaktuar nga huat toksike të tregut amerikan të pasurisë së paluajtshme kanë zhdukur besimin mbi institucionet financiare, kanë detyruar qeveritë të përdorin qindra miliarda dollarë nga xhepat e taksapaguesve për rimëkëmbjen e tregjeve dhe kanë detyruar bankat qendrore të ndërmarrin në unison vendimin për uljen e normave të interesit.

Kësaj fundjave në Uashington do të mbahet një takim i liderëve financiarë me pjesëmarrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, lidhur me të cilin Straus Khan vërejti se synimi kryesor i ligjbërësve të rangut global është rivendosja e besimit në tregjet botërore. Edhe ministrat e Financës, së grupit të Të Shtatëve, do të takohen këtë fundjavë në Uashington për të diskutuar rrugët e zgjidhjeve që duhen ndjekur.

Mekanizmi i emergjencave të Fondit Monetar Ndërkombëtar u krijua në vitin 1995, si zgjidhje për aprovimin e përshpejtuar të kredive për llogari të vendeve në nevojë. U përdor për herë të parë në vitin 1997 për t‘u ardhur në ndihmë Filipineve, Tailandës, Indonezisë dhe Koresë së Jugut gjatë krizës financiare që përfshiu Azinë. Shtetet në zhvillim janë përsëri nën presion, pasi kriza e kredive përfshiu gjithë Amerikën dhe u përhap edhe në Evropë. Investitorët po i drejtojnë fondet e veta drejt aseteve më të sigurta, bankat e huaja po ndërpresin kreditë dhe produktet e tyre të eksportit do përballen me uljen e kërkesës nga konsumatori perëndimor.

Shtraus Khan bëri thirrje për më shumë hapa të bashkërenduar për qetësimin e tregjeve, të cilët duhet të shtrihen edhe përtej vendimit të paprecedentë të bankave qendrore për uljen e normave të interesave. Shtoi se ekonomia botërore gjendet në prag të recensionit, por se me veprime të shpejta e të vendosura gjendja do mund të vihet nën kontroll. "Duhen rekomanduar të gjitha format e mundshme të bashkëpunimit. Duhet shmangur, në mos dënuar, çdolloj veprimi i njëanshëm".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›