E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: “Buxheti i vitit 2009 i qeverisë Berisha është antisocial”



Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, e ka cilësuar buxhetin e vitit 2009 si antisocial.
Duke iu referuar pasqyrave fiskale të Ministrisë së Financave, Beqja deklaroi se në vitin 2009 shpenzimet për paga janë 5% më të ulëta se në vitin 2008. Ai vijoi se në vitin 2009 shpenzimet për sigurime shoqërore janë vetëm 12% më të larta se në vitin 2008, edhe pse pensionet u rritën dy muaj më shpejt se në 10 vitet e fundit dhe se Sali Berisha deklaroi se pensionet e fshatit u rritën 20%. Ndërsa, siç deklaron Beqja, në vitin 2009 shpenzimet për pagesën e papunësisë u rritën vetëm me 5% kundrejt vitit 2008, ndërsa numri i të papunëve është rritur dhe INSTAT-i raporton prej disa muajsh se ushqimet janë shtrenjtuar 7%. Ai tha se në vitin 2009 shpenzimet për ndihmë ekonomike u rritën vetëm 1% kundrejt vitit 2008, ndërsa sot, sipas tij, 4 mijë lekë në muaj përfitim i ndihmës ekonomike nuk u mjafton 95 mijë familje për të blerë as një gjysmë buke në ditë, nëse heqim mënjanë faturën e re të energjisë dhe të ujit. “Siç provojnë vetë të dhënat e treguesve fiskalë në vitin 2009, shpenzimet për paga e përfitime sociale janë rritur kundrejt vitit 2008 vetëm 4%. Kjo është rritja më e vogël në 10 vjetët e fundit. Kjo ka ndodhur sepse 80% e shtesës nga të ardhurat tatimore në vitin 2009 u përdorur për të paguar rritjen e shpenzimeve të interesave (një shtese në të ardhura tatimore prej 6,407 milionë lekësh, në një kohë që shtesa në shpenzimet për interesa është 4,994 milionë lekë)”, - u shpreh Beqja.

Rama: “8 Marsi i gjen nënat shqiptare të zhytura në krizën ekonomike”

Kryesocialisti zhvilloi një takim me gratë socialiste në ditën e 8 Marsit

Kreu i PS-së: “Rrënjët e krizës politike mbeten në kutitë e votimit”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, me rastin e 8 Marsit zhvilloi një takim me gratë socialiste. Kreu i opozitës u uroi të gjitha grave dhe nënave në ditën e tyre, 8 Marsin. “Ne jemi për një shoqëri të drejtë për çdo njeri, pavarësisht gjinisë, fesë apo ngjyrës se lëkurës. Jam i kënaqur që politika e re ka nxjerrë përfaqësimin e gruas në Parlament, por kjo nuk është shumë”, - u shpreh Rama. Kryesocialisti theksoi se kjo ditë shërben për të kujtuar përpjekjet e grave për barazi dhe paqe, për liri dhe demokraci. Gjithashtu, për të shprehur përgjithësisht mirënjohjen për të gjitha gratë shqiptare që edukuan gjenerata të tëra fëmijësh, me respektin për vlerat njerëzore dhe për ato kombëtare, për të nënvizuar respektin për të gjitha ato gra, të njohura ose jo, që bën edhe më shumë qysh në kohëra të hershme, duke kapërcyer pragun e shtëpisë, duke ndikuar në një mënyrë ose në një tjetër drejtpërdrejtë në jetën e vendit tonë apo thjesht fshatit të tyre të vogël. Rama, në Ditën e Gruas, ka cituar një shprehje të poetit Naim Frashëri: “Gruaja duhet të jetë e mësuar më shumë se burri, sepse fëmijët së pari marrin arsimimin dhe mësimet”. Gjatë bisedës Rama u ndal kryesisht në krizën ekonomike dhe në transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Kriza
Në ditën e 8 Marsit Rama vuri theksin te kriza ekonomike, duke u shprehur se kjo ditë i ka gjetur nënat në vështirësi. “Ky 8 Mars e gjen Shqipërinë në kulmin e një krize ekonomike, që do të thotë një barrë e rëndë për gratë shqiptare. Janë nënat e çdo familjeje që përballen të parat me faturën e re të energjisë, janë ato që gatuajnë dhe kursejnë, ndërkohë që familja i sheh në dritë të syrit kur tavolina është bosh”, - theksoi Rama. Sipas tij, këtë vit 8 marsi i gjen gratë, në veçanti nënat shqiptare, të zhytura në një krizë ekonomike, e cila ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes. “Ky nuk është një 8 Mars si shumë të tjerët, por një 8 Mars që e gjen Shqipërinë në një krizë ekonomike, që rëndon mbi supet e grave shqiptare. Sepse janë ato që në këtë vend përballen me efektet e krizës, që përditë futen brenda shtëpisë dhe sjellin një të re që familjet shqiptare nuk do të donin ta kishin. Janë nënat e çdo familjeje që përballen të parat me faturën e energjisë, me rritjen e çmimit të ushqimit, sepse janë ato që gatuajnë dhe ushqejnë fëmijët. Turp qeverisë që dallon nënat shqiptare nëse janë socialiste dhe opozitare”, - ka shtuar Rama.
Transparenca
Duke folur për vendosmërinë e opozitës në kërkesat për transparencën e zgjedhjeve, kryesocialisti theksoi se rrënjët e krizës politike mbeten në kutitë e votimit, ku sipas Ramës, mbahen peng ëndrrat dhe aspiratat e çdo qytetari që ka hedhur votën e tij më 28 qershor. “Politika ka mbetur te kutitë, sepse aty janë rrënjët e krizës. Kutitë nuk janë tender për pronësinë ku grinden dy palët. Ne nuk kërkojmë pronësi në kuti; në ato kuti mbahen peng ëndrrat e aspiratat e të gjithë atyre që kanë dhënë votën e tyre”, - u shpreh Rama. Nëse kryhet transparenca e kutive të votimit të 28 qershorit, zhduket sundimi ndaj qytetarëve dhe fiton e drejta e mirëqeverisjes së tyre nga një pushtet i përgjegjshëm. Por, të mos harrojmë se në ato kuti janë investimet e ëndrrave, shpresave dhe të gjithë atyre që më 28 qershor nuk kanë hedhur thjesht një copë letër brenda tyre, por një vullnet të qytetëruar të sovranit”, - tha Rama. Në vijim, ai theksoi se është shumë e rëndësishme që të dihet se në demokraci ka shumë rëndësi përgjegjësia e qeverisjes për t’u kujdesur për qytetarin. “Hapja e kutive është e vetmja mënyrë për të mirëqeverisur dhe jo për të sunduar. Dhe ne jemi të gatshëm ta mirë qeverisim këtë vend, ashtu siç nuk e bën dot askush tjetër”, - tha Rama.

Arta Dade u uron 8 Marsin të gjithave grave shqiptare dhe në mbarë botën

Deputetja Arta Dade, në emër të Partisë Socialiste, ka uruar dje për 8 Marsin të gjitha gratë shqiptare, kudo ku jetojnë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. “Ne kemi të drejtë të ndihemi mirë në këtë ditë si pjesë e emancipimit shoqëror, si kontribuuese direkte të këtij emancipimi, si një vlerë e shtuar në luftën për demokratizimin e shoqërisë dhe integrimin e saj në familjen e madhe të vlerave njerëzore. Sot është gjithashtu një ditë reflektimi”, - u shpreh Dade, duke shtuar: “U drejtohem nënave të nderuara veterane të luftës dhe të punës, nënave dhe grave që vuajtën nga regjimi i kaluar, zonjave të zgjedhura në detyra të rëndësishme, arsimtareve të respektuara dhe grave që shërbejnë pa u lodhur në sektorin e shëndetësisë, grave fermere dhe ushtarake, grave të biznesit, grave emigrante, grave invalide, nënave të fëmijëve të ngujuar, grave intelektuale të shkencës, të artit dhe kulturës, grave të papuna, si dhe grave të grupimeve sociale të margjinalizuara”.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›