E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “8 Marsi i gjen nënat shqiptare të zhytura në krizën ekonomike”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, me rastin e 8 Marsit zhvilloi një takim me gratë socialiste. Kreu i opozitës u uroi të gjitha grave dhe nënave në ditën e tyre, 8 Marsin. “Ne jemi për një shoqëri të drejtë për çdo njeri, pavarësisht gjinisë, fesë apo ngjyrës se lëkurës. Jam i kënaqur që politika e re ka nxjerrë përfaqësimin e gruas në Parlament, por kjo nuk është shumë”, - u shpreh Rama. Kryesocialisti theksoi se kjo ditë shërben për të kujtuar përpjekjet e grave për barazi dhe paqe, për liri dhe demokraci. Gjithashtu, për të shprehur përgjithësisht mirënjohjen për të gjitha gratë shqiptare që edukuan gjenerata të tëra fëmijësh, me respektin për vlerat njerëzore dhe për ato kombëtare, për të nënvizuar respektin për të gjitha ato gra, të njohura ose jo, që bën edhe më shumë qysh në kohëra të hershme, duke kapërcyer pragun e shtëpisë, duke ndikuar në një mënyrë ose në një tjetër drejtpërdrejtë në jetën e vendit tonë apo thjesht fshatit të tyre të vogël. Rama, në Ditën e Gruas, ka cituar një shprehje të poetit Naim Frashëri: “Gruaja duhet të jetë e mësuar më shumë se burri, sepse fëmijët së pari marrin arsimimin dhe mësimet”. Gjatë bisedës Rama u ndal kryesisht në krizën ekonomike dhe në transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Kriza
Në ditën e 8 Marsit Rama vuri theksin te kriza ekonomike, duke u shprehur se kjo ditë i ka gjetur nënat në vështirësi. “Ky 8 Mars e gjen Shqipërinë në kulmin e një krize ekonomike, që do të thotë një barrë e rëndë për gratë shqiptare. Janë nënat e çdo familjeje që përballen të parat me faturën e re të energjisë, janë ato që gatuajnë dhe kursejnë, ndërkohë që familja i sheh në dritë të syrit kur tavolina është bosh”, - theksoi Rama. Sipas tij, këtë vit 8 marsi i gjen gratë, në veçanti nënat shqiptare, të zhytura në një krizë ekonomike, e cila ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes. “Ky nuk është një 8 Mars si shumë të tjerët, por një 8 Mars që e gjen Shqipërinë në një krizë ekonomike, që rëndon mbi supet e grave shqiptare. Sepse janë ato që në këtë vend përballen me efektet e krizës, që përditë futen brenda shtëpisë dhe sjellin një të re që familjet shqiptare nuk do të donin ta kishin. Janë nënat e çdo familjeje që përballen të parat me faturën e energjisë, me rritjen e çmimit të ushqimit, sepse janë ato që gatuajnë dhe ushqejnë fëmijët. Turp qeverisë që dallon nënat shqiptare nëse janë socialiste dhe opozitare”, - ka shtuar Rama.
Transparenca
Duke folur për vendosmërinë e opozitës në kërkesat për transparencën e zgjedhjeve, kryesocialisti theksoi se rrënjët e krizës politike mbeten në kutitë e votimit, ku sipas Ramës, mbahen peng ëndrrat dhe aspiratat e çdo qytetari që ka hedhur votën e tij më 28 qershor. “Politika ka mbetur te kutitë, sepse aty janë rrënjët e krizës. Kutitë nuk janë tender për pronësinë ku grinden dy palët. Ne nuk kërkojmë pronësi në kuti; në ato kuti mbahen peng ëndrrat e aspiratat e të gjithë atyre që kanë dhënë votën e tyre”, - u shpreh Rama. Nëse kryhet transparenca e kutive të votimit të 28 qershorit, zhduket sundimi ndaj qytetarëve dhe fiton e drejta e mirëqeverisjes së tyre nga një pushtet i përgjegjshëm. Por, të mos harrojmë se në ato kuti janë investimet e ëndrrave, shpresave dhe të gjithë atyre që më 28 qershor nuk kanë hedhur thjesht një copë letër brenda tyre, por një vullnet të qytetëruar të sovranit”, - tha Rama. Në vijim, ai theksoi se është shumë e rëndësishme që të dihet se në demokraci ka shumë rëndësi përgjegjësia e qeverisjes për t’u kujdesur për qytetarin. “Hapja e kutive është e vetmja mënyrë për të mirëqeverisur dhe jo për të sunduar. Dhe ne jemi të gatshëm ta mirë qeverisim këtë vend, ashtu siç nuk e bën dot askush tjetër”, - tha Rama.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›