Ambasadorët e BE-së: Kriza po dëmton perspektivën europiane të Shqipërisë
11 ambasadorët e BE-së i bëjnë apel politikës për gjetjen e zgjidhjes
Eljona Ballhysa
Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë i kanë bërë apel dje politikës shqiptare që të gjejë zgjidhjen e krizës politike në vend. 11 ambasadorët janë mbledhur dje në zyrën e ambasadorit të Komisionit Europian, Helmut Lohan dhe pas një mbledhjeje që ka zgjatur 90 minuta kanë bërë thirrje që palët ta gjejnë zgjidhjen para datës 6 mars, që shënon afatin e fundit të mandateve të deputetëve të PS-së. Ambasadori i Spanjës, që mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Manuel Montobio, bëri të ditur se kjo krizë po rrezikon perspektivën europiane të Shqipërisë dhe se ka shumë mundësi që të mos hapen bisedimet mes BE-së dhe Shqipërisë përsa i përket aplikimit për statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE. Ndërsa ambasadori Lohan u shpreh dje për mediat, pas takimit 90-minutësh, se faktori ndërkombëtar do të vazhdojë të nxisë gjetjen e zgjidhjes dhe vazhdimit të dialogut, por nuk do të bëjë asnjë propozim konkret për të dalë nga kriza. Sipas ambasadorit Lohan, zgjidhjen duhet ta gjejnë politikanët shqiptarë dhe sa më parë të jetë e mundur.
Deklaratat
“Pozicioni dhe mesazhi i 27 vendeve të Bashkimit Europian është shumë i qartë. Perspektiva europiane e Shqipërisë varet nga këto momente historike. Nëse nuk ndërmerren veprime tani, hapat e tjerë mund të rrezikohen. Dialogu duhet të vijë nga vetë liderët e Shqipërisë. Ne mendojmë se kjo tryezë dialogu është një hap i mirë, por duhet të prodhojë rezultat dhe madje shumë shpejt. Rezultati duhet të vijë para 6 marsit, që t’i lejojë opozitës të shkojë në Parlament dhe të ngrejë komision parlamentar, i cili do të kënaqë të dyja palët dhe bazuar në transparencë dhe Kushtetutë, sipas propozimit të Presidentit të Republikës. Ne nuk do të japim opinion për pozicionet e asnjërit nga aktorëve politikë, por ne si BE themi pasojat e mundshme që vijnë prej kësaj krize”, - është shprehur ambasadori spanjoll, Montobio, pas takimit me ambasadorët e vendeve të BE-së. Edhe ambasadori Lohan theksoi se Komisioni Europian nuk do të bëjë asnjë propozim konkret për ta nxjerrë klasën politike shqiptare nga kriza, por, sipas tij, zgjidhja duhet të vijë nga tryeza e bisedimeve e iniciuar nga presidenti Topi. “Bashkimi Europian nuk do të vendosë në tryezë ndonjë propozim konkret. Ajo që tha edhe ambasadori Montobio është se u takon liderëve politikë shqiptarë që të gjejnë rrugëdaljen nga kjo situatë ngërçi politik. Unë kam besim se do të gjendet rrugëdalja”, - është shprehur Lohan. Deklarata dhe qëndrimi i unifikuar i ambasadorëve të vendeve të BE-së me mision në Shqipëri vjen pas dështimit të tryezës së përbashkët Topi-Berisha-Rama. Por edhe takimet bilaterale që zhvilloi një ditë më parë presidenti Topi si me kryeministrin Berisha, ashtu dhe me kryetarin e PS-së, Edi Rama, përfunduan pa asnjë rezultat konkret, thjesht me vullnetin e shprehur për të vazhduar bisedimet.
Ambasadorët vendosin 6 marsin si afatin e fundit për zgjidhjen e krizës
Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë kanë bërë thirrje dje që krizës t’i jepet fund para datës 6 mars. Data 6 mars është konsideruar nga përfaqësuesit e qeverisë dhe të Kuvendit si afati i fundit kushtetues për ligjshmërinë e mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste. Madje këta përfaqësues të lartë të maxhorancës kanë deklaruar se nëse PS-ja nuk futet në Kuvend deri në këtë datë, mandatet e deputetëve do të digjen dhe se këta deputetë do të zëvendësohen me të tjerë që vijnë në bazë të listës. Por, mesazhi i djeshëm i ambasadorëve më së shumti iu drejtua përfaqësuesve të maxhorancës, duke iu bërë të ditur se faktori ndërkombëtar nuk mund të pranojë kurrsesi zëvendësimin e deputetëve të opozitës. Ambasadorët kërkojnë që zgjidhja të vijë para kësaj date, në mënyrë që kriza politike të mos ndërlikohet dhe të mos futet në një labirint kushtetues e institucional.
Tryeza e Presidentit dhe takimet kokë më kokë që nuk sollën rezultat
Pas dështimit të tryezës së parë, Presidenti i Republikës ka vazhduar edhe një ditë më parë përpjekjet intensive për të gjetur zgjidhjen e krizës politike në vend. Pas takimeve me ambasadorët Lohan e Montobio, Topi zhvilloi takime kokë më kokë si me kryetarin e Partisë Socialiste, Rama, ashtu edhe me kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Por, që të dyja këto takime përfunduan pa një rezultat konkret. Palët vazhdojnë të mbajnë të njëjtat qëndrime dhe t’i këmbëngulin fort në kërkesat e tyre. Kështu, pas takimit të një dite më parë, Rama bëri të ditur se kërkesa për hapjen e kutive dhe transparencës së plotë të zgjedhjeve është e panegociueshme. Ndërsa Berisha bëri të ditur për gazetarët se është i gatshëm që të gjejë zgjidhjen e çështjeve bilaterale mes PD-së dhe PS-së, duke e mos e konsideruar si të tillë kërkesën e PS-së për hapjen e kutive. Kjo kërkesë edhe një ditë më parë është konsideruar nga kryeministri Berisha si një çështje që u përket PS-së dhe gjykatave, dhe mund të zgjidhet vetëm nga këto dy subjekte. Edhe pas takimit të djeshëm me Topin, qëndrimi i kryeministrit u duk i pandryshuar përsa i përket kërkesës kryesore të Partisë Socialiste. “Jemi të hapur për shqyrtimin e problemeve të lidhura me procesin zgjedhor. Jemi të gatshëm për dialog dhe për zgjidhjen e problemeve bilaterale. Riafirmuam qëndrimin tonë të vendosur që të mbetemi të hapur për dialogun, të mbetemi të hapur për shqyrtimin e të gjitha problemeve të lidhura me procesin zgjedhor, të cilat kualifikohen si probleme bilaterale. Presidenti po vazhdon të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergimeve midis palëve”, - bëri të ditur Berisha pas takimit me presidentin Topi. Ndërkaq, Presidenca ka njoftuar se kreu i shtetit do të vazhdojë negociatat me palët deri në gjetjen e pikave të përbashkëta për t’i dhënë zgjidhje situatës politike në Shqipëri. “Këto takime u thirrën nga kreu i shtetit shqiptar në vijimësi të tryezës politike të së shtunës dhe të kërkimit e gjetjes së pikëtakimeve mes pozitës dhe opozitës. Këto takime, që synojnë vazhdimin e dialogut të nisur në tryezën e ditës së shtunë”, - shkruhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
18 Shkurt 2010