E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy njerëzit “hije” të Presidentit mes Berishës dhe Ramës



Albert Gjoka

Presidenti i Republikës ua ka besuar negociatat e vështira që po zhvillon me Ramën dhe Berishën dy këshilltarëve të tij, Spiro Peçit dhe Arben Cicit. Ndërsa i pari ka një eksperiencë të gjatë në organin e akuzës dhe gjatë 10 viteve të fundit në politikë dhe qeverisje, Cico ka një karrierë të gjatë diplomatike, jo pak të suksesshme. Të dy këta persona konsiderohen “truri” dhe mendja e hollë e kreut të shtetit për të “eksploruar konvergjencat”, deri në shtrimin e një projekt-marrëveshjeje, e cila do të varet më pas nga dy protagonistët kryesorë të politikës nëse do të jetë një bazë e shëndoshë për të arritur në paktin final. Por, në krah të stafit të presidentit Topi janë edhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Tiranë, të cilët po ushtrojnë presion të vazhdueshëm që marrëveshja të arrihet deri në fillimin e marsit, moment ky që përkon edhe me përfundimin e afatit kushtetues të mandateve të PS-së. Duke parë krizën e fundvitit 2006, ku zoti Moisiu kishte tre këshilltarë të angazhuar në bisedimet e vështira mes Berishës dhe Ramës, duket se presidenti aktual ka preferuar të angazhojë më pas pjesëtarë të kabinetit në krizën e radhës, e cila është konsideruar edhe nga ekspertët e huaj si një ndër momentet më kritike në politikën shqiptare.

Një diplomat dhe një politikan
Kredibiliteti dhe sfida më e vështirë e zotit Bamir Topi në pozicionin e Presidentit u janë besuar prej disa ditësh Dr. Arben Cicit dhe Spiro Peçit. Cici, i diplomuar për frëngjisht, me profesion pedagog, me disa trajnime në fushën e politikës së jashtme, ka një karrierë mbi 15-vjeçare si diplomat. Ai ka marrë gradën “Doktor” në fushën e Shkencave Historike dhe ka qenë ambasador në disa vende si Rusi, ish-republikat e Bashkimit Sovjetik dhe në Kroaci. Në listën dhe eksperiencën e tij në fushën e diplomacisë shqiptare është edhe pozicioni i drejtorit të Protokollit të Shtetit, të cilin e mbajti dhe e miradministroi edhe në periudhën kur Tiranën zyrtare e vizitoi presidenti amerikan Xhorxh Bush. Që prej vitit 2008 dhe të vazhdim është bërë pjesë e ekipit të këshilltarëve të Presidentit të Republikës. Por, duke qenë një njohës i stërvitur i protokollit zyrtar, situata komplikohet në klimën e ndezur dhe plot tensione që është krijuar nga dy protagonistët e politikës shqiptare.
Një tjetër përzgjedhje e Topit është Spiro Peçi, i cili prej një viti ka hyrë në Presidencë në cilësinë e këshilltarit ligjor. Ish-prokurori i regjimit të kaluar, profesion të cilin e vazhdoi edhe në vigjiljen e demokracisë, avokati, ish-ministri i Drejtësisë dhe politikani i PBDNJ-së, tashmë është caktuar nga shefi i tij për të ofruar mendjen e tij se si mund t’i jepet fund situatës së krijuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Eksperiencat e secilit prej tyre janë të mjaftueshme kur flitet për negocimin e çështjeve të tilla si hapja ose jo e kutive, ligjshmëria e kërkesës së opozitës, apo komunikimi i vazhdueshëm i selisë së Presidencës me partnerët ndërkombëtarë që janë përfshirë në këtë proces. Bacground-i prej ministri Drejtësie i zotit Spiro Peçi është një shans për presidentin Topi që të analizojë në mënyrë të shtruar, sidomos kërkesat e paraqitura nga Partia Socialiste, të cilat kërkojnë, pa dyshim, edhe një formim të konsoliduar në fushën e ligjit. Gjithsesi, ngërçi politik i tanishëm është shumë më i madh sesa herët e tjera dhe gjëja më e vështirë është për të dhënë këshilla.

“Brezi i artë” i Moisiut
Kriza politike e dhjetorit të vitit 2006, e cila përkoi me situatën para zgjedhjeve vendore, nisi dhe u mbyll me mbajtjen nën kontroll dhe negocimin kryesisht nga faktorët e brendshëm. Presidenti Moisiu, në ndryshim nga rasti i tanishëm, mori nisma në kohë për të shmangur përplasjen e madhe. Gjithsesi, ai u ndodh në momentet kritike, të cilat arriti t’i tejkalonte dhe të ofronte garanci për dy palët në zhvillimin e procesit zgjedhor. Bisedimet njëmujore ua besoi tre këshilltarëve të tij: Muhamet Kapllanit, një diplomat karriere i suksesshëm, Artur Metanit, ekspertit të njohur ligjor dhe gazetarit Afrim Krasniqi, i cili ishte në detyrën e këshilltarit politik. Ndonëse Moisiu kishte privilegjin që të ishte president i zgjedhur konsensualisht nga palët, sërish për disa javë me radhë, bashkë me stafin e tij, arriti që të mbyllte me sukses procesin si interlokutor dhe t’i ofrohej besimi nga Berisha dhe Rama.
Këshilltarët, të ashtuquajturit “brezi i artë” i titullarit”, kanë në dorë gjithçka, ashtu siç nuk vlejnë për asgjë mendimet e tyre nëse mungon autoriteti, besimi dhe vullneti nga palët e përfshira në proces.

PASAPORTA E SPIRO PEÇIT

1965-1969 - mbaron Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike në UT
1970-1985 - punon në Prokurorinë e rrethit të Sarandës
1985-1091 - punon në Prokurorinë e rrethit të Durrësit
1991-1992 – zëvendësprokuror i Prokurorisë së Përgjithshme
1992-1995 - drejtor i Kontrollit të Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme
1995-2002 – punon në profesion si avokat
2002-2003 – emërohet ministër i Drejtësisë në qeverinë “Nano”
2004-2005 – emërohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit
2005-2009 – zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë (PBDNJ)
2009 - e në vazhdim - këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës

PASAPORTA E DR. ARBEN CICIT
1979-1981 - kryen studimet për Frëngjisht pranë UT
1981-1984 - diplomohet përkthyes në gjuhët frënge-arabe në Universitetin e Algjerit
1981 - mbaroi kursin e specializimit për përkthim në Paris
1983-1985 - mbaron studimet pasuniversitare në Akademinë Diplomatike në Moskë
1997 - mbaron specializimin në Qendrën e Studimeve Diplomatike në Greqi
1988-1992 - punon pedagog në Katedrën e Gjuhës Frënge në UT
1992 - nis punën në Drejtorinë e Parë në Ministrinë e Jashtme
1992-1995 - emërohet ambasador në Rusi, Bjellorusi, Moldavi, Armeni, Gjeorgji etj.
1995-1996 - rikthehet në Ministrinë e Jashtme, drejtor Protokolli
1999 - merr gradën “Doktor i Shkencave Historike”
2000-2006 - emërohet ambasador në Kroaci (mbulon edhe Bosnjën)
2006-2007 - drejtor Protokolli në Ministrinë e Jashtme
2008 - e në vazhdim - këshilltar diplomatik i presidentit Topi

REAGIMI
Reagon presidenti Topi: Nuk ka propozime konkrete nga Berisha dhe Rama

TIRANË – Kur kanë kaluar pesë ditë negociata, Presidenca ka ndërhyrë dje duke deklaruar zyrtarisht se as Rama dhe as Berisha nuk kanë bërë ende propozime konkrete për zgjidhjen e krizës politike. Në një njoftim zyrtar theksohet se takimet me palët do të vazhdojnë korrektësisht, ashtu siç u vendos në tryezën politike të së shtunës. Zyra e shtypit të Presidentit ka hedhur poshtë disa supozime nga disa media, të cilat njoftojnë për propozime konkrete të bëra gjatë takimeve të Presidentit të Republikës me kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Socialiste. “Jemi të detyruar të qartësojmë se konsultimet po zhvillohen në një linjë mjaft korrekte. Kryetari i shtetit ka dëgjuar palët për konvergimin e qëndrimeve të tyre, sikurse është vendosur në tryezën e ditës së shtunë”, - thuhet në deklaratën e bërë publike dje në mëngjes. Sipas saj, “nuk ka pasur asnjë lloj propozimi konkret në takime, e për këtë arsye nuk ka pasur as kontestime”.
Presidenca sqaron se “palët janë shprehur, dukshëm, të vendosur të ndjekin rrugën e dialogut të iniciuar nga Presidenti i Republikës”. Bisedimet u ndërprenë gjatë ditës së mërkurë për pak orë pasi kreu i shtetit zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›