E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN-ja dhe OSBE-ja larg Shqipërisë, zgjedhjet 2009 në rrezik



Shaban Sulçe

Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të vitit 2009 pritet të vihet seriozisht në dyshim në Shqipëri. Shkak për këtë duket se do të jetë jo vetëm vonesa për realizimin e reformës zgjedhore, por edhe largimi i organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë që monitorojnë procesin zgjedhor në Shqipëri. Polemikave për kërkesën e qeverisë për largimin e OSBE-së i është bashkuar edhe largimi tashmë i realizuar i institucionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ajo që mund të mendohet menjëherë është se largimi i këtyre dy institucioneve nuk është aspak i rastësishëm, por se u vjen për shtat interesave dhe planit të qeverisë për të mos pasur shumë “nëpër këmbë” monitorues dhe kontrollues të procesit zgjedhor. Ndërsa dihet që roli i OSBE-së është i lidhur plotësisht me procesin zgjedhor, po aq i rëndësishëm është edhe roli i FMN-së në këtë proces. Në kushtet e mungesës së FMN-së, qeveria mund ta ketë më të lehtë për të shpërdoruar financat e buxhetit të shtetit për qëllime elektorale. Largimi i përfaqësive të këtyre dy institucioneve të rëndësishme duket se rikthen “hijet e zeza” të zgjedhjeve të vitit 1996 në Shqipëri, të cilat u manipuluan rëndë nga ish-presidenti, aktualisht kryeministri Sali Berisha.
Largimi i FMN-së
Zyrtarisht FMN-ja e përfundonte mandatin me Shqipërinë në janar të vitit 2009. Në konferencën e organizuar disa ditë më parë, kreu i delegacionit të FMN-së në Tiranë, Gerwin Bell, deklaroi se shumë vende të botës kanë kërkuar zgjatjen e mandatit të misionit në periudha elektorale, duke nënkuptuar se e njëjta gjë duhet të vlente edhe për Shqipërinë. Por nuk ka qenë e këtij mendimi qeveria shqiptare, e cila nuk ka pranuar të rinovojë qëndrimin e FMN-së në Shqipëri. Argumenti i ministrit të Financave, Ridvan Bode, ishte se qeveria shqiptare po arrin ta administrojë me sukses situatën financiare në vend. “Qeveria ka treguar kapacitet për të administruar në favor të ekonomisë së vendit situata shumë më komplekse sesa zgjedhjet dhe mandati i kësaj qeverisjeje, për fat të keq, qëlloi me zhvillime jo fort të favorshme në tregun rajonal dhe botëror. Por, menaxhimi i këtyre situatave ka dëshmuar kapacitete të mjaftueshme të institucioneve të shtetit shqiptar, midis të cilave edhe qeverisë, për t’u përballur me sukses me këto zhvillime”, - do të deklaronte ministri Bode. Por largimi i FMN-së është pasuar me akuza të shumta nga ana e opozitës, të cilët e kanë lidhur këtë largim me zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Kryetari i PS-së, Edi Rama, paralajmëroi se me këtë qëndrim Shqipëria është vetëm një hap larg kthimit në vitin 1996 dhe duke evokuar të kaluarën e hidhur sipas tij të kryeministrit Berisha në atë kohë president dhe ministrit të Financave në raport me FMN-në.
Misioni i OSBE-së
Në gusht të këtij viti shpërthyen polemikat midis maxhorancës dhe opozitës rreth mandatit të OSBE-së në vendin tonë. Shkak u bë lajmi sipas të cilit negociatat midis qeverisë dhe OSBE-së për rinovimin e mandatit të saj në Shqipëri ishin bllokuar prej 7 muajsh. Madje u bë e ditur se kryeministri Berisha kishte kërkuar largimin e këtij institucioni të rëndësishëm për të monitoruar procesin zgjedhor në Shqipëri. Si rregull, pas përfundimit të mandatit të misionit të OSBE-së, duhet të rinisnin negociatat me qeverinë lidhur me detyrat specifike të misionit dhe drejtimet kryesore ku ky komision do të kontribuojë. Pasi arrihet marrëveshja në parim, atëherë kjo marrëveshje i kalon për miratim Asamblesë në Vjenë, e cila vendos me votat e të gjitha shteteve anëtare për ta ratifikuar ose jo. Por duket se në mënyrë të paprecedentë, qeveria shqiptare e kishte neglizhuar deri atëherë me mospërfillje procesin e negociatave, duke dhënë një mesazh të qartë me (mos)veprimin e saj për këtë mision. Kjo solli reagimin e ashpër të opozitës, e cila kërkoi me insistim vazhdimin e prezencës së OSBE-së në vendin tonë. Edhe kjo e fundit konfirmoi se nuk do të pranonte largimin nga Shqipëria.

Çfarë ndodhi në zgjedhjet e 1996-ës

Përpara zhvillimit të zgjedhjeve të vitit 1996, organizmi i rëndësishëm ndërkombëtar i FMN-së vendosi të largohej nga Shqipëria. Shkak i këtij largimi ishte lulëzimi i firmave piramidale, të cilat ishin toleruar, madje dhe mbështetur nga qeveria e atëhershme e Partisë Demokratike dhe kryeministrit Berisha. Pas manipulimeve të zgjedhjeve të vitit 1996, dhe pasi nuk u morën parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e OSBE-së, edhe ky organizim do të vendoste largimin nga Shqipëria. Madje në zgjedhjet lokale të vitit 1996, kryeministri Berisha nuk pranoi që ODHIR-i të monitoronte këto zgjedhje, të cilat gjithashtu ishin të kontestuara.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›