Leskaj: “Jemi gati të ndryshojmë Kushtetutën për heqjen e imunitetit”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, gjatë fjalës së mbajtur dje në seancë parlamentare, akuzoi kryeministrin Berisha se po bën spekulime me çështjen e imunitetit të deputetëve. Ajo tha se PS-ja është gati ta ndryshojë Kushtetutën në mënyrë që qeveria të mos e përdorë imunitetin për të fshehur korrupsionin. “Kryeministri po spekulon me imunitetin e deputetëve që në fakt nuk kanë gjë në dorë, ato i kanë imunitarët në qeveri, që janë me çështje penale në majë të piramidës. Gjithsesi, ne kemi bërë një gjest dhe jemi gati të ndryshojmë edhe Kushtetutën, qoftë edhe që ju të mos e përdorni më çështjen e imunitetit si jorgan për të mbuluar korrupsionin e imunitarëve tuaj në qeveri”, - është shprehur Leskaj, duke konfirmuar në këtë mënyrë dhe vullnetin e opozitës për të hequr imunitetin.
Më tej Leskaj bëri të ditur se korrupsioni është ngritur në Shqipëri. Ajo tha se kryeministri Berisha duhet t’i lexojë drejt të gjitha raportet e institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe jo vetëm raportin e “Transparency International”. “Ratifikimi i protokollit nga Senati, që u hap rrugë edhe ratifikimeve të tjera dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duhet lexuar së pari si angazhim e përgjegjësi për të arritur ato vlera e standarde që ka kjo bashkësi. Politikës shqiptare do t’i duhet të demonstrojë pjekuri, do t’i duhet të demonstrojë aftësi për t’i mbajtur këto përgjegjësi. Unë prisja dje që kryeministri të dilte e të adresonte këto përgjegjësi që ka vendi. Natyrisht kryeministri nuk mund ta bënte këtë sepse kishte tjetër hall, të ndryshëm nga ai i NATO-s. Ka hallin e dështimit të kartës antikorrupsion, ka hallin e Gërdecit, që pasi e quajti aksident teknologjik, tani e quajti pakujdesi të tmerrshme”, - është shprehur Leskaj. Duke lënë mënjanë raportin e “Transparency International”, Leskaj citoi disa raporte të institucioneve të tjera ndërkombëtare, të cilat e shikojnë shqetësues nivelin e korrupsionit në Shqipëri. “Kryeministri është kapur pas raportit të Transparency International që këtë vit e rendit gjysmë pike më lart Shqipërinë. Mirë bën që e përmend raportin, po a mund të na thotë pse harron apo bën sikur harron raportin e FMN-në, të cilin besoj që e ka lexuar? Pse harron ose bën sikur e harron raportin e IDR-USAID-it, që sjell fakte për rritje të korrupsionit? Pse harron raporte të tjera si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit, i CIA-s, i OKB-së apo deklarata të tjera mbi korrupsionin, trafiqet dhe krimin e organizuar? Më e freskëta është deklarata e Barrotit, zëvendëspresident i Parlamentit Europian. Nuk besoj se ai i konsideron këto institucione më pak serioze se ‘Transparency International’”, - është shprehur Leskaj.
30 Shtator 2008