E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: “Asnjë drejtor spitali pa kryer shkollën e menaxhimit“



Të gjithë drejtuesit e spitaleve duhet të kenë një përgatitje të veçantë drejtuese dhe menaxhimi. Ministrja e Shëndetësisë do të ndërmarrë hapa konkretë për ndryshimin e mënyrës së emërimeve dhe përgatitjen profesionale të drejtuesve të rinj. Në mjediset e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” u prezantua fillimi i projektit mbi sistemet e programimit dhe kontrollit të administrimit të strukturave spitalore dhe sanitare në tërësi, si dhe përgatitjen e drejtuesve të strukturave shëndetësore. Kursi realizohet nga Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë", në bashkëpunim me Universitetin e Firences në Itali. Kështu, të gjithë mjekët që do të jenë në krye të drejtimit të spitaleve do të marrin njohuri në ekonomi dhe nëse në krye të drejtimit të spitaleve apo në organikën e tyre do të jenë ekonomistë, atëherë edhe këta do të marrin njohuri për Mjekësinë. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë këtij takimi theksoi se projekti po realizohet në kohën e duhur, pasi do të ofrojë zhvillime në dy drejtime të rëndësishme. Këto ndryshime do të jenë në reformimin e strukturave spitalore në Shqipëri në rang rajonal dhe më tej, si dhe në ofrimin e ideve mbi organizimin e strukturave spitalore dhe strukturave të tjera rajonale. Specialistët tanë do të njihen me sistemin italian, me modele të spitaleve rajonale në rajonin e Toskanës, por këto modele nuk do të merren drejtpërdrejt, pasi gjithçka do të përshtatet me gjendjen e spitaleve të vendit.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›