Kosta Barka në detyrën e ministrit, i uron shqiptarët për Bajram
Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, vazhdon ende detyrën e tij me gjithë sulmet e njëpasnjëshme të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ai ka qenë i pranishëm dje në një aktivitet në institucionit të tij në Berat, ku ka përcjellë edhe mesazhin e urimit për festën e Fiter Bajramit. Kryeministri Berisha ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ndryshimin e kabinetit të tij qeveritar, me gjithë presionin e ushtruar nga kreu i PBDNJ-së, Dule. Propozimi i këtij të fundit për të shkarkuar Barkën dhe për të emëruar Andrea Marton, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, i shkarkuar disa vjet më parë nga ministri socialist Ethem Ruka dhe protagonist i një aksidenti të ndodhur më 16 shtator 2007 në rrethin e Durrësit, i deklaruar zyrtarisht edhe nga Ministria e Brendshme, ka ngjallur debate brenda minoritetit. Propozimi i Dules është kundërshtuar nga OMONIA, e cila ka dalë në mbështetje të ministrit Barka. Vetë Barka ka deklaruar për “Albania”-n se çdo vendim për ndryshimet në kabinetin qeveritar është në dorën e Berishës. “Në këtë moment jam i përkushtuar për të realizuar maksimalisht detyrën si ministër i Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe në drejtimin e strukturave të OMONIA-s për kapërcimin e sfidave politike”, - ka përfunduar Barka për gazetën.
Braçe: “Qeveria, tregti armësh me kompani nga Bosnja”
Miratimi i marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat e kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal midis Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës ka shkaktuar debate gjatë seancës së djeshme parlamentare. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, përmes ironisë, e ka cilësuar të vonuar këtë marrëveshje, pasi sipas tij qeverinë shqiptare e lidh trafiku i armëve që bën me kompani dhe individë të ndryshëm nga Bosnja. “Një prej kompanive ndërmjetëse të armëve vinte nga Bosnja. Normalisht, si të mos e lehtësojmë nga taksimi i dyfishtë këtë lloj tregtie me Bosnjën? Marrëdhëniet me Bosnjën janë intensifikuar shumë dhe unë jua thashë se ku po përfitojnë në mënyrë të dyanshme. Ka fakte që hedhin dritë për marrëdhëniet e nëndheshme midis Shqipërisë dhe Bosnjës. Marrëdhëniet informale midis qeverisë sonë dhe kompanive private. Marrëdhëniet midis qeverisë sonë dhe një individi që bën sekserin e Shqipërisë në tregti të ndryshme”, - është shprehur Braçe. Më tej ai bëri të ditur se të gjitha këto marrëdhënie janë të faturuara. Ai solli në vëmendje tregtinë e armëve midis Shqipërisë dhe Bosnjës në vitin 1995 si dhe trafikun e naftës më 1993-shin. “Ekzistojnë partnerë publikë të dokumentuar në dokumentet e qeverisë, të agjencive ndërkombëtare, në çdo pikë hyrje dhe dalje nga Shqipëria për në Bosnjë dhe anasjelltas. Jemi dakord se faturat nuk humbasin asnjëherë, por mbeten. Faturat fillojnë që në ’93-shin, ku nga Shqipëria dërgonte naftë për makinën e luftës. Faturat që atëherë kur Shqipëria dërgonte armë. Atëherë ka filluar trafiku i armëve në Bosnjë dhe këtë e pohon presidenti i asaj kohe, Sali Berisha”, - është shprehur Braçe.
30 Shtator 2008