FMN-ja lë "porosinë" e fundit: Kujdes borxhin publik
Pasi ka qëndruar për dy javë në Shqipëri, duke u njohur me kuadrin makroekonomik të vendit, misioni i FMN-së, në prag të largimit, ka ritheksuar detyrat e fundit për qeverinë shqiptare. Duke marrë shkas nga konferenca e djeshme, e organizuar nga Fondi Monetar, stafi i kryesuar nga Gerwin Bell ka paraqitur disa rekomandime rreth qëndrueshmërisë së borxhit publik, tregjeve të kapitalit dhe rregulla për zbatimin rigoroz të buxhetit në përputhje me politikat fiskale. Pa dashur të përsëriste ato që tha dy ditë më parë në konferencën e përbashkët me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë, Bell, në fjalimin e tij të djeshëm, përmendi rëndësinë që ka ruajtja e stabilitetit makroekonomik të vendit, në një kohë kur tregjet e huaja po përballen me kriza ekonomike të njëpasnjëshme. Theksi mbi ruajtjen e një norme të deficitit buxhetor në 4 për qind, ishte kryefjala e shefit të misionit, sipas të cilit "për sa kohë do të ketë një rregull fiskal të matur, borxhi do të mbetet i qëndrueshëm në periudhën afatmesme, kur borxhi i përgjithshëm publik do të jetë në masën 50% kundrejt PBB-së, edhe pse ekzistojnë risqe". Gjatë diskutimeve të bëra dje, ekspertë të FMN-së kanë hedhur tezën e re për mbarëvajtjen e buxhetit: rregulli fiskal. Kjo ka të bëjë në mbështetjen e një politike fiskale më të disiplinuar, e cila lidhet fort me katër shtylla bazë: rregulli i shpenzimeve, rregulli i të ardhurave, rregulli i borxhit dhe rregulli për deficitin buxhetor. "Kjo përvojë pozitive për shumë vende ngre pyetjen nëse miratimi i një rregulli fiskal do të jetë një qëndrim i dobishëm për ruajtjen e disiplinës fiskale në Shqipëri", tha ekonomisti i FMN-së, Jiri Jonas. Duke qenë se borxhi publik është mbi 50% e PBB-së, për Jonas do të ishte më mirë të rregullohej ky tregues, duke u nisur në radhë të parë nga deficiti buxhetor, i cili për vitin 2008 theu çdo rregull të vendosur nga fondi. Ndërsa zëvendësministri Shehu garantoi se për një periudhë 5-vjeçare, treguesit makro të borxhit do të përmirësoheshin, duke synuar paralelisht një rritje të të ardhurave në 31% kundrejt PBB-së. Lidhur me rekomandimet e shumta të dhëna nga FMN-ja gjatë ditëve të qëndrimit, Shehu u përgjigj fare qetë, duke thënë se i falënderonte për mbështetjen e gjatë 16-vjeçare, por njëkohësisht bënte të ditur se për zbatimin e tyre kërkohet një administratë publike më e konsoliduar.