Varfëria, të ngrihen skemat subvencionuese
LSI-ja kërkon urgjentisht realizimin e skemës së subvencionit për shtresat më të prekura e në nevojë nga rritja e çmimeve, kryesisht të atyre ushqimore. Nëpërmjet Edmond Haxhinastos, Lëvizja Socialiste për Integrim, duke marrë shkas edhe nga qëndrimet e Misionit të FMN-së, përsëriti shqetësimin për "menaxhimin ekonomik që po i bëhet vendit nga qeveria e dështuar e Sali Berishës". Sipas Haxhinastos, "është e domosdoshme që kjo qeveri të marrë seriozisht çështjen e zgjidhjes së krizës energjetike, në mënyrë që të mos shtojë më tej koston e jetesës mbi qytetarin shqiptar dhe të mos mbysë biznesin, sidomos prodhimin vendas". LSI-ja ka kërkuar zbardhjen e kostos përfundimtare të rrugës Durrës-Kukës dhe gjetjen e skemës së përshtatshme të financimit të saj, në mënyrë "që të mos kthehet në një gropë të zezë të buxhetit". Ashtu si partia tjetër opozitare, edhe LSI-ja ka kritikuar qeverinë për dështimin e arritur kundrejt përmirësimit të klimës së biznesit.