E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Vogël, me korsi të veçantë për mjetet publike

Unaza e Vogël do të ketë një korsi të posaçme vetëm për autobusin, biçikletat, taksitë dhe ambulancat. Është kjo ideja e fundit mbi qarkullimin e mjeteve publike e lançuar nga drejtuesit e Bashkisë së Tiranës. "Kjo është një korsi që qytetarët do ta shikojnë çdo vit e më të pranishme në rrugët e kryeqytetit. Kështu Tirana inkuadrohet në një politikë evropiane të kufizimit të trafikut për makinat dhe të hapjes së trafikut për transportin publik, nëpërmjet mjeteve të këtij transporti. Këtë korsi ne e kemi filluar dhe tani funksionon te rruga e Laprakës e deri te ‘Zogu i Zi‘. Këtë korsi duam ta fusim dhe në Unazën e Tiranës", u shpreh kryebashkiaku Edi Rama. Sipas tij, Bashkia e Tiranës po punon për të hequr të gjithë parkimet në Unazë, duke e kthyer krahun e djathtë në krah lëvizjeje të saj.

Unaza e brendshme është hallka më e rëndësishme në skemën e rrugëve të qytetit. Ajo është një zonë me trafik tejet të rënduar. Për këto arsye, sqarojnë përfaqësuesit e bashkisë, punimet në të u parashikuan të realizohen pjesë-pjesë, duke lejuar njëkohësisht lëvizjen e trafikut gradualisht në pjesët e rikonstruktuara. Projekti i rrugës është hartuar duke u bazuar në Projektin Francez të Qendrës së Tiranës. Rama ka qenë dje në përfundimin e punimeve të segmentit të parë, nga Rruga e Kavajës e deri te rruga "Myslym Shyri".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›