E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abetarja, vijojnë festat nëpër shkolla

Këto ditë, në të gjitha shkollat e ciklit të ulët po zhvillohen festat e abetares. Kjo festë është ndër më tradicionalet në lëmin e arsimit, e pakushtëzuar nga ndryshimet e sistemit, siç ka ndodhur për shembull me aktin e betimit të shallit të pionierit për disa dekada rresht, gjatë viteve të ish-regjimit komunist. Ndërsa festa e abetares është po ajo, me po ato rite e po të njëjtin entuziazëm. Dje, kjo festë u organizua në shkollën "Ali Demi", një ndër më të njohurat në kryeqytet. Prindër e fëmijë u përfshinë në atmosferën e gazmendit për përfundimin e të parit libër dije për njeriun, që i mëson atij si të lexojë e shkruajë. Disa fëmijë, të përzgjedhur për talentin e tyre skenik, përfaqësonin nga një germë e të gjithë së bashku performuan me këngë, recitime e dialogë, ku për shembull abetarja këmbente fjalë me leximin e matematikën. Po si ndiheshin fëmijët? Sindi Bego, e cila përfaqësonte germën "X" (xixëllonja), recitoi pikërisht vjershën e xixëllonjës dhe tha se qëkur ishte futur në klasë të parë në shtator, ishte dhënë shumë pas abetares dhe se e priste me padurim ditën e festës. Me naivitetin dhe sinqeritetin e një fëmije, tha se abetaren do ta mbante gjithnjë në çantë edhe pse tashmë do i kushtohej leximit. Ndërsa mësuese Vali tregoi se ky brez që sapo e kishte përfunduar abetaren ishte ndër më të mirët në karrierën e saj prej dijedhënëseje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›