PS: Klima e biznesit, dështimi i qeverisë
Pas publikimit të raportit të Bankës Botërore që e rendiste Shqipërinë në vendin e 136 nga 178 vende të studiuara për vitin 2008, ka reaguar dhe Paria Socialiste, me anë të nënsekretarit për Programin Politik, Ervin Bushati. Duke marrë shkas nga të dhënat e raportit, Bushati u shpreh se "realiteti shqiptar është larg deklaratave të vazhdueshme emocionale të qeverisë". Sipas tij, institucionet ndërkombëtare, Banka Botërore, dhe së fundmi FMN-ja, përcjellin shenja shqetësimi ndaj parametrave makroekonomike dhe strukturale në ekonominë shqiptare. "Qeveria ka dështuar në misionin e saj në ndihmë të biznesit dhe ekonomisë shqiptare. Korrupsioni dhe mungesa e theksuar e shtetit ligjor janë faktorët kryesorë për renditjen e Shqipërisë krahas vendeve si Mozambiku, Irani, Siria apo Uzbekistani", përfundon Bushati.