E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN jep alarmin mbi ekonomine globale

Fondi Monetar Ndërkombëtar jep alarmin duke lëshuar drejt Brukselit sinjale emergjence. Instituti ka parashikuar në rënie rritjen e ekonomisë botërore, duke evidentuar se rreziqet për stabilitetin financiar janë shtuar. Koha shkon drejt përfundimit, është momenti për të reaguar, këshillon përgjegjësi i departamentit të tregjeve në FMN, Jose Vinals
“Rreziqet do të shtohen për stabilitetin financiar. rimëkëmbja globale ka shfaqur në muajt e fundit  shenja të mëtejshme dobësimi. Koha po skadon dhe është momenti për të reaguar”, vlerësoi ai. 
Ndër të tjera FMN thotë se kushtet e tregjeve financiare dhe valutore janë përkeqësuar ndjeshëm në muajin maj dhe qershor dhe kostot e financimit janë ngjitur në nivele rekord për 2012-ën, kjo për shkak edhe të frikës për një dalje të Greqisë nga Eurozona si dhe të problemit të bankave spanjolle. 
 Sipas institutit të Uashingtonit kushtet ekonomike do të vijojnë të përkeqësohen nëse merren masa jo konvencionale. Rreziku më i madh për FMN është se mund të përkeqësohet rrethi vicioz mbi Italinë dhe Spanjën  dhe se një nga të dy vendet mund të humb mundësinë e hyrjes në tregje. Kjo sigurisht mund të ndikojë në rritjen ekonomike botërore, duke çuar në një infektim të krizës edhe në pjesën tjetër të botës.
Gjithsesi kreu i ekonomistëve në FMN, Oliver Blanchard shprehet se pavarësisht këtyre rreziqeve absolutisht nuk mund të ndodhë një tjetër recesion.

“Nuk besoj se do të ketë një tjetër recesion global. Nëse do të ndodhte diçka e rëndë në Europë atëherë mund të flitet për rreziqe të recesionit, por nuk besoj se kjo gjë do të ndodhë. Por ka shumë rëndësi bashkëpunimi për rimëkëmbjen si dhe uljen e menjëhershme të papunësisë’, u shpreh Blanchard. 
 Ekspertët e FMN-së theksojnë se kriza në Eurozonë mbetet prioritet dhe mund të kufizohet nëse përballë angazhimit të vendeve nën presion të preformave, vendet e tjera anëtare të bllokut do të ishin të gatshëm t’I mbështesnin.
Në rang global FMN ka parashikuar një rënie të ekonomisë për vitin 2012. nga 6,3% të rritjes së parashikuar ajo të shkojë vetëm në 3,5%. Ndërsa për 2013-ën rritja globale do të ndalet në 3,9%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›