E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria greke nis riorganizimin e enteve publike

Qeveria greke do të fillojë menjëherë riorganizimin e sektorit publik me synim mbylljen apo shkrirjen e enteve publike të panevojshme, si pjesë e përpjekjeve për reduktimin e shpenzimeve publike dhe uljen e burokracisë helene. Kryeministri Antonis Samaras ka deklaruar se rishikimi do të nis këto ditë dhe do të përfshijë të gjitha shoqëritë shtetërore dhe organizatat e tjera të lidhura me shtetin dhe që janë nën kontrollin e ministrive. Qëllimi kryesor sipas Samaras, është riorganizimi i sektorëve publikë përmes shkrirjes apo mbylljes së disa institucioneve të panevojshme si dhe mbylljen e një serie shërbimesh jo aktive. Riorganizimi i këtyre institucioneve publike është planifikuar të kursejë rreth 11,5 miliardë euro në dy vitet e ardhshme, nga të cilat 3 milionë brenda këtij viti. Qeveria gjatë kësaj periudhe do të mbyllë një pjesë të shoqërive publike por pa shkaktuar asnjë largim nga puna të punonjësve publikë. 
Ministri i financave Yannis Stournaras mbajti një seri takimesh të hënën me  ministrat dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë për të vlerësuar se sa do të  ndikojnë shkurtimet e shpenzimeve, përpara takimit të ditës së mërkurë midis  Z. Samaras dhe krerët e dy partnerëve të rinj të koalicionit, për të  finalizuar shkurtimet e propozuara. ”Deri tani të gjitha ministritë kanë dorëzuar propozimet e tyre për të parë  se çfarë mund të bëjë secila  në drejtim të kursimit,  ne duam që çdo  propozim të jetë logjik dhe i llogaritur mirë. Të gjitha të jenë mbi tryezë, ka thënë ministri. 
Ndërkohë lideri i së majtës së PASOK, dhe ish ministër i Financave, Venizelos i ka kërkuar qeverisë një plan të ri të rimëkëmbjes ekonomike për një periudhë afatmesme. Pa një plan të ri nga sot e deri në 2016-ën, që të vlerësojë të gjitha të dhënat makro-ekonomike të vendit dhe kryesisht recesionin e madh, ka thënë Venizelos, nuk mund të realizohet një bilanc i 2012-ës dhe për më tepër ai i vitit të ardhshëm. Sipas ish krye financierit, qeveria e Samaras ku bën pjesë edhe e majta e Pasok, duhet të promovojë të gjitha reformat strukturore dhe programin e privatizimeve të akorduar nga të tre partitë e koalicionit që mbështesin qeverinë aktuale. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›