Turizmi spanjoll nen efektet e krizes

Kriza e sistemit bankar në Spanjë ka shkaktuar efekte negative në sektorin e turizmit. Sipas zyrës kombëtare të statistikave efektet e recesionit po ndihen në shërbimet në turizëm, ku aktiviteti i agjencive të udhëtimeve dhe operatorëve turistikë ka rënë me më shumë se 6,4% në muaj maj, në bazë vjetore. Gjithashtu pasojat kanë qenë të mëdha në sektorin e hotelerive ku është shënuar një ulje e aktivitetit me 3,4%, dhe një normë papunësie nga 2,4% deri në 4,6%. Sipas institutit të statistikave spanjolle në total sektori i shërbimeve ka regjistruar në muajin maj një rrudhje me 5,4% kundrejt të njëjtit muaj të 2011-ës, duke shënuar të shtatin muaj në radhë të rënies. Në muajin prill volumi i biznesit në sektorin e shërbimeve në turizëm shënonte një rënie me 8,4%, ulja më e madhe kjo që nga tetori i vitit 2009. Përsa i përket transportit, kryesisht udhëtimeve ajrore, biznesi në muajin maj është ulur me 2,6% ndërsa udhëtimet hekurudhore kanë rënë me 7,3%.