FMN kundër buxhetit të qeverisë
Bell: Mos shikoni rritjen e viteve 2007-2008. Borxhi publik ka arritur në 60% të PBB. Javët e ardhshme janë kritike
Përfaqësuesi i FMN-së i ka kërkuar qeverisë që jetë më realiste në buxhetin e vitit 2010
TIRANË- Fondi Monetar Ndërkombëtar i sugjeron qeverisë që të tregohet më realiste gjatë hartimit të buxhetit të vitit 2010. Gjatë një konferencë të përbashkët me Ministrin e Financave, Ridvan Bode, dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri Gerëin Bell kërkoi nga ekzekutivi që gjatë hartimit të buxhetit të mos mbështetet në rritjet ekonomike që vendi ka pasur gjatë viteve të shkuara por tek treguesit e tanishëm për shkak se nuk gjendemi në situata të njëjta.
"Është e nevojshme të vendosen objektiva realiste për sa i përket të ardhurave. Ne nuk mund të presim që të kemi sërish ritme shumë të larta të rritjes ekonomike që janë vënë re në vitet 2007 dhe 2008.
Po ashtu duhet edhe një program realist i shpenzimeve. Nëse kjo bëhet ashtu siç duhet, atëherë ekonomia shqiptare ka shanse shumë të mira ta kalojë këtë krizë. Javët e ardhshme do të jenë kritike për të ecur në drejtimin e duhur, sa i takon përgatitjes se buxhetit te vitit 2010", - u shpreh Bell.
Në lidhje me këtë, ministri Bode theksoi se, buxheti nuk është aq konservativ sa do ta dëshironte FMN-ja apo Banka e Shqipërisë, por se qeveria do të tregohej e tillë në kuptimin e ruajtjes së kontigjencave të larta.
Nga ana e tij Guvernatori Fullani theksoi se Banka e Shqipërisë vlerëson të domosdoshme që për periudhën në vijim të tregohet një kujdes dhe vigjilencë financiare në rritje.
"Kjo do të nënkuptonte një forcim të mëtejshëm të stabilitetit makrofinanciar, veçanërisht në harmonizimin më të mirë të dy politikave bazë në ekonomi, për të vazhduar stimulimin e domosdoshëm të aktivitetit ekonomik të vendit", - tha ai.
Një shqetësim tjetër i ngritur nga Bell ka të bëje me rritjen e borxhit publik i cili sipas tij ka arritur në nivelin e 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ai tha se, nëse do të ndërmerren politika që kanë të bëjnë me përmirësimin e treguesve të borxhit publik do të kemi një rritje të besimit në ekonominë shqiptare.
"Një pozicion i fortë fiskal dhe konsolidimi i borxhit publik do të ndihmojë ekonominë të përmirësojë besimin brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu kjo do i lejonte sistemit bankar që ta kanalizojë kredinë drejt aktiviteteve me produktive të sektorit privat dhe jo në borxhet qeveritare.
Ajo ç'ka është më e rëndësishme ka të bëjë me uljen e borxhit publik dhe marrja e një pozicioni fiskal të forte dhe të qëndrueshëm, nëse këto do të bëhen atëherë Shqipëria do të kthehet në ecurinë e kënaqshme ekonomike të viteve në vazhdim, por nëse nuk bëhen atëherë do të ketë rreziqe të mëdha", - tha Bell.
Krahas udhëzimeve për hartimin e buxhetit Bell ka bërë vlerësime pozitive për ekonominë e vendit duke theksuar se tashmë e keqja më e madhe e krizës ka kaluar. "Shqipëria në vitin 2009 është njëri nga vendet e pakta në botë që ka rritje pozitive dhe kjo është optimiste tashmë që më e keqja e krizës është pas nesh", - tha ai.
Që prej janarit të këtij viti FMN nuk ushtron më rolin e mbikëqyrësit mbi veprimet e qeverisë por e asiston atë vetëm duke dhënë këshilla. Prej një jave një grup i specialistëve të këtij fondi ishte në vend për të asistuar qeverinë në hartimin e buxhetit të vitit 2010.
*********************************
Prifti: Investoni në Shqipëri se është vend i sigurt
TIRANË- Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka siguruar të gjithë investitorët e huaj në Shqipëri se qeveria do të ndërmarrë hapa ligjore për të shmangur problemet me titujt e pronave të cilat kanë qenë një shqetësim i përhershëm i tyre.
Gjatë një takimi me investitorë vendas dhe të huaj ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, ministri Prifti theksoi se ekzekutivi është duke hartuar një draft për të lehtësuar veprimet e bizneseve të huaja që do të investojnë në Shqipëri.
"Ky ligj do të sigurojë rritjen e investimeve të huaja dhe sigurinë politike afatgjate në vend. Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një serë reformash në favor të zhvillimit të biznesit dhe investimeve.
Nëse objektivi madhor për katër vitet e ardhshme do të jetë ai i integrimit, ky objektiv do të bëhet i mundur vetëm nëpërmjet thellimit të mëtejshëm të reformave që përmirësojnë klimën e biznesit dhe të investimeve.
Tërheqja e Investimeve të Huaja është e një rëndësie vendimtare për sigurimin e ritmeve të larta për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Qeveria ka shpallur krijimin e 6 parqeve industriale, ku industritë e instaluara në to do të ndikojnë në rritjen e punësimit dhe prodhimit për eksport",- theksoi ai.
Nisma për miratimin e një drafti për zgjidhjen e problemeve të pronësisë që investitorët e huaj përballen në vend është deklaruar edhe nga Kryeministri Berisha sipas te cilit ky është një hap që duhet hedhur sa më parë për të thithur sa më shumë investime nga jashtë.