E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN, kundër ligjit të gjobave

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe USAID kanë shprehur rezerva për procesin e ankimimit të subjekteve ndaj vendimit administrativ të tatimorëve, për rastet që parashikon ligji. Për herë të parë, ndërkombëtarët janë shprehur kundër parapagimit të gjobës në masën 15 për qind para se të kryhet ankimimi në gjykatë. Përfaqësuesja ligjore e USAID, Edlira Këmbora, i ka paraqitur dje kryetarit të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Edmond Spaho, propozimet për ndryshimin e nenit 107, "Pagesa e detyrimit tatimor, objekt ankimi", të cilat konsistojnë në thelb heqjen e parapagimit të gjobës, por vetëm të detyrimit gjatë proceseve të ankimimit. Përveç USAID, kundër është shprehur dhe FMN, duke shtuar radhët e atyre që janë kundër "ligjit të gjobave". Burime zyrtare të FMN-së shprehën për gazetën "Shqip" komentet e tyre lidhur me nenin 1007, sipas të cilëve "e drejta për t‘u ankimuar nuk duhet të kushtëzohet me asnjë mjet, sikurse dhe e drejta e qeverisë për të mbledhur detyrimet. Sipas FMN-së, "Ankimimi dhe detyrimi janë dy të drejta paralele, që nuk duhet të kushtëzojnë njëra-tjetrën". Duke u nisur nga ky fakt, kreu i komisionit, Spaho, kërkoi nga deputetët shtyrjen e miratimit të nenit që flet për pagesën e gjobës, duke e kaluar për shqyrtim në një seancë të posaçme. Anëtarët e komisionit nga të gjitha forcat politike e miratuan shtyrjen e nenit, duke marrë në konsideratë edhe presionet e vazhdueshme nga grupet e interesit. Këta të fundit, që prej një viti kanë bërë thirrje kundër ligjit, duke e cilësuar në radhë të parë si antikushtetues, por mbi të gjitha si një masë që dëmton rëndë biznesin. Shenjat e para për një ndryshim të nenit 107 janë dhënë në fakt nga ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë diskutimit të ligjit në Kuvend. Sipas tij, pranohet heqja e parapagimit të gjobës në masën 15 për qind, me kushtin që të mos ekzistojë shkalla e apelimit në gjykatë, pasi kjo e fundit është bërë palë me biznesin, duke e shpallur fituese në të shumtën e rasteve ndaj vendimeve administrative të tatimorëve.

Neni 107

Sipas këtij neni, të propozuar nga qeveria në ligjin "Për procedurat tatimore", subjekti ka të drejtë të ankimojë vendimin administrativ tatimor nëse paguan që në fillim shumën e plotë të detyrimit tatimor, të përcaktuar në një njoftim vlerësimi të administratës tatimore. Kjo shumë që duhet të parapaguhet nuk ka të përfshirë kamatë-vonesat ose gjobat e përfshira në vlerësimin tatimor të ankimuar. Po sipas nenit, subjekti privat nuk mund të kryejë ankimim në gjykatë pa e kryer këtë proces më parë në rrugë administrative. Më tej, pasi të jetë kaluar kjo hallkë, subjekti ka të drejtë që të depozitojë kërkesëpadinë në gjykatë, vetëm nëse ka paguar 15 për qind të vlerës së gjobës. Pikërisht, këtë masë parapagimi e ka kundërshtuar hapur dhe publikisht USAID, organizmi i qeverisë amerikane, i cili ka dhënë ndihmën në hartimin e këtij ligji. Lidhur me këtë pikë është shprehur dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Linda Rusmali, sipas së cilës, "gjatë hartimit të ligjit, ministria nuk e ka diskutuar me ekspertët këtë nen, pasi ishte miratuar më parë dhe nuk kishim të drejtë ta rishikonim".

Vlerësimi tatimor nga zyra

Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka vijuar dje diskutimet për projektligjin "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe USAID. Gjatë diskutimit të projektligjit nen për nen, deputetë të komisionit u ndalën në nenin 71, i kontestuar ashpër nga shoqatat e biznesit në vend, pasi lidhet me të drejtën që i jepet tatimorit për të bërë një rivlerësim të bilancit, duke përdorur metodat alternative. Në këtë nen janë përcaktuar rastet se kur punonjësi tatimor ka të drejtë të kryejë një rivlerësim të bilancit, pa qenë nevoja të kontrollojë nga afër subjektin. Përfaqësuesja e USAID (projekti amerikan që ka ndihmuar në përgatitjen e ligjit), Edlira Këmbora, ka sqaruar më tepër arsyet se pse i jepet e drejta tatimorit të veprojë në këtë mënyrë. "Administrata tatimore ka të drejtë të kryejë disa korrektime matematikore, kur vërehen gabime të shifrave në bilanc. Por ka dhe pasaktësi të tjera, të cilat dalin nga një vëzhgim i të dhënave që administrata tatimore kryen në dogana, institucione të tjera, nga faturat ose dokumentacione të tjera dhe në këtë moment nuk është i nevojshëm të bëhet një kontroll ndaj tatimpaguesit në selinë ku punon. Është e pamundur që administrata të kryejë çdo vit kontrolle për të gjitha subjektet. Në këtë mënyrë është e arsyeshme që inspektori të kryejë një kontroll të subjektit nga zyra. Por, jo detyrimisht ndodh një gjë e tillë", tha përfaqësuesja e USAID. Ndërsa Spaho kërkoi të mësonte nëse subjekti kishte të drejtë të ankimonte për rastet e rivlerësimit nga ana e tatimorëve. Sipas Këmborës, "për çdo akt të administratës tatimore, subjekti e ka të drejtën e ankimimit". Rastet kur përdoren mënyrat alternative të vlerësimit tatimor janë kur subjekti nuk dorëzon deklaratën tatimore brenda afatit të kërkuar në ligj ose kur kjo deklaratë përmban të dhëna të pasakta ose të falsifikuara. Po ashtu janë parashikuar dhe raste të tjera kur: subjekti privat nuk mban ose ruan llogari a regjistrime të sakta të transaksioneve, subjekti nuk bashkëpunon me kontrollin tatimor, nuk vë në dispozicion informacionin e kërkuar dhe dokumente të tjera për llogaritjen e detyrimit të tij tatimor.

Neni 73

Afati i vlerësimit tatimor, 5 vjet

I vetmi nen që pësoi ndryshime gjatë diskutimit të ligjit "Për procedurat tatimore" ishte ai që fliste për "afatin e parashkrimit të së drejtës për të bërë vlerësim tatimor". Në ligj ishte parashikuar se "e drejta e administratës tatimore për të bërë një vlerësim tatimor parashkruhet brenda 6 vjetësh nga data e fundit e dorëzimit të deklaratës tatimore". E thënë ndryshe, një biznesi i duhet të ruajë për 6 vjet rresht të gjithë dokumentacionin e aktivitetit të zhvilluar gjatë kësaj periudhe, për t‘i dhënë mundësi punonjësit tatimor për të bërë vlerësimin. Ky afat është vendosur si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve që ka administrata tatimore për të kryer kontrolle te të gjitha subjektet private brenda një viti. Por opozita propozoi si afat 3 vjet, sikundër e kanë vendet e BE-së, ndërsa Spaho propozoi që afati të mos ndryshojë nga 5 vjet që aplikohet me ligjin aktual. Në fund, komisionin vendosi afatin 5 vjet, edhe pse bizneset kanë propozuar një afat prej tre vjetësh.

Ministria e Financave, kundër: E ka Përmbarimi

"Konkurrenca", Spaho: Detyrimet të mblidhen nga tatimorët

Situata ku ndodhet sot Autoriteti i Konkurrencës në zbatimin e vendimeve të fituara në gjykatë ndaj subjekteve që kanë shkelur ligjin, solli të tjera diskutime në komisionin për ekonominë dhe financat. Në nenin 79 të ligjit, kryetari Spaho propozoi një shtesë që përcaktonte detyrimin e tatimorëve për të vjelë edhe gjobat që Autoriteti i Konkurrencës vendos ndaj subjekteve që krijojnë situata monopole në treg. "Aktualisht, ky institucion ndodhet në gjendje të vështirë, i cili në mungesë të një strukture për mbledhjen e detyrimeve e ka të vështirë ta çojë deri në fund misionin për të cilin është krijuar. Prandaj unë propozoj që administrata tatimore të merret me këtë proces", tha Spaho. Por Linda Rusmali, përfaqësuesja e ministrisë, e kundërshtoi me forcë sugjerimin me pretendimin se vendimet e gjykatës i zbaton përmbarimi. "Nëse e lejojmë një veprim të tillë për Autoritetin, do të jemi të detyruar të sillemi njëlloj edhe me institucionet e tjera", tha Rusmali. Në fund komisioni e miratoi nenin sikurse ishte, pa marrë në konsideratë propozimin. Po dje, Parlamenti miratoi Raportin Vjetor 2007 të Autoritetit të Konkurrencës, të paraqitur nga kryetarja Lindita Milo (Lati). Deputetët ngritën shqetësimin mbi funksionin që kryen institucioni, i cili po has pengesa nga vendimet e gjykatës. Po ashtu, ata sugjeruan më shumë kujdes rreth situatave monopol në disa sektorë strategjikë të vendit.

Propozimet

Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon rishikimin e ligjit

"Gjobat, po cenohet liria e tregut"

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka kundërshtuar një pjesë të projektligjit "Për procedurat tatimore", duke e cilësuar si "cenim real dhe potencial të disa parimeve dhe institucioneve themelore, në dëm të lirisë së tregut". Drejtuesit më të lartë të Dhomës Amerikane kanë shprehur rezervat për disa nene të ligjit, konkretisht për nenet 101, 104 dhe 107. Sipas tyre, drafti i fundit i qeverisë mbart ndryshime për të cilat organizmat e biznesit nuk u vunë në dijeni. Dhoma Amerikane ka ngritur zërin vazhdimisht, madje e ka çuar çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese lidhur me nenin mbi parapagesën e 15 për qind të interesave dhe gjobave dhe këmbëngulim që ky nen të hiqet, pasi kështu paragjykohet përfundimi i ankimimit, duke sjellë penalizmin e biznesit. "Fillimi i procedurave të falimentit është një nen tjetër në të cilin parashikohet që administrata tatimore mund të fillojë një procedurë falimentimi kur një tatimpagues rezulton me humbje për të paktën tre vjet rresht. Këtu jemi përpara një shtrembërimi të institucionit të falimentit dhe të shtrembërimit të parimit që taksat janë një detyrim vetëm kur ka fitim e aktivitet", tha Genc Boga, përfaqësuesi i "AmCham". Kjo shoqatë ka dërguar një letër me propozime në komisionin e ekonomisë, por ky i fundit nuk i mori parasysh ato për faktin se "nuk janë të konceptuara si duhet dhe se nuk përputhen me nenet e ligjit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›