E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi nis procedurat për imunitetin e Mediut

Parlamenti nisi dje procedurat ligjore për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Këtë e anonçoi vetë kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila lajmëroi deputetët për shkresën e ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme. Kështu, sipas procedurave, sot mblidhet Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, e cila pas shqyrtimit të kërkesës së kryeprokurores do të votojë për kalimin në rrugët normale parlamentare, në fillim në Komisionin e Ligjeve e më pas në seancën plenare, që sipas të gjitha gjasave do të jetë të hënën e ardhshme, pasi e enjtja, kur është dita e seancave ka rastisur pushim zyrtar (1maji). Madje, Topalli me jo më pak ironi deklaroi se "ende është pushim kjo datë". Mbledhja e Këshillit për Imunitetin do të bëhet në bazë të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton qartë të gjitha hapat që duhet të ndiqen nga Kuvendi për heqjen e imunitetit të një deputeti. Në pikën një të këtij neni thuhet se, kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë, gjë që është realizuar në seancën e djeshme nga Kryetarja Topalli. Në pikën dy të rregullores thuhet se, deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Pika tre e këtij neni thotë se në përfundim të shqyrtimit, këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së dytë pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare, fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t‘iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Zogaj

Në lidhje me heqjen e imunitetit të PR-së, Fatmir Mediu, deputeti i PD-së, Preç Zogaj, ka deklaruar dje se "ka ardhur koha që në Parlament të paraqitet projektligji për heqjen e imunitetit të deputetit". Më tej, ai ka theksuar se personalisht është për një zhveshje të plotë të deputetit nga imuniteti, por në mënyrë të pjesshme të tij. "Ju e dini që mazhoranca ka paraqitur një projekt për çështjen e imunitetit, që kishte në thelb ruajtjen e imunitetit në rastin kur kërkohet autorizim për arrest dhe heqjen dorë nga imuniteti kur kërkohet autorizim për hetim dhe ne vazhdojmë të jemi akoma në këtë vendim", tha Zogaj. Gjithashtu, ai i ka bërë thirrje opozitës që të pranojë opsionin e mazhorancës për miratimin e këtij ligji. Zogaj tha se "është rasti që t‘i kthehemi këtij propozimi dhe në këtë rast opozita ka topin në fushën e vet për sa i përket heqjes së imunitetit të deputetëve, cilitdo krahu politik t‘i përkasin ato".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›