E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për tre muaj, njihen 872 prona

Për tre muajt e parë të vitit 2008 janë miratuar 872 vendime gjithsej për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës në 12 qarqe të vendit. Numri më i madh i vendimeve është marrë në Shkodër, ku gjatë muajve janar-mars 2008 u janë njohur pronat 176 pronarëve. Gjirokastra dhe Vlora pasojnë listën e kthimit dhe kompensimit të pronave që janë bërë gjatë tre muajve të parë të 2008-s. Tirana, Durrësi, Fieri dhe Berati janë katër qytetet që kanë një numër mesatar të njohjes së pronës, megjithëse numri i tyre është dy herë më pak se ai i Shkodrës. Në Dibër janë marrë vetëm dhjetë vendime për kthim pronash dhe në Elbasan vetëm dy vendime. Ndërkohë që në qytetin e Kukësit nuk është kthyer asnjë pronë gjatë këtij viti. Gjatë procesit të njohjes, kthimit apo kompensimit të pronave, janë konstatuar disa problematika. Një ndër to është bashkëpunimi në nivel lokal mes drejtuesve të ZRPP-së dhe ZRAKKP-së, e cila nuk është në nivelin e pritur dhe në atë të bashkëpunimit mes dy zyrave qendrore. I vështirë vazhdon të jetë sigurimi i hartave të vjetra nga institucionet përkatëse si: Arkivi Qendror Teknik, Arkivi i Shtetit Shqiptar, Arkivi i Kadastrës Pyjore, Departamenti i Shërbimit të Tokës dhe Ujit sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 747, datë 9 nëntor 2006 "Për procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve, të shpronësuara gjatë procesit të njohjes, kthimit apo kompensimit të pronës".

Numri më i madh i vendimeve është marrë në Shkodër, ku gjatë muajve janar-mars 2008 u janë njohur pronat 176 pronarëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›