E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN më 1 prill, elozhe ekonomisë

• Duket si një shaka e 1 prillit, por FMN-ja ka bërë elozhet maksimale për ekonominë shqiptare.

Megjithëse ka marrë OK që më datë 28 mars në Uashington, raporti është bërë zyrtarisht publik vetëm dje. Raporti i fundit i miratuar nga Fondi, jep vlerësime pozitive për të gjithë zhvillimet dhe reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë. E vetmja kërkesë e bordit ngelet energjia, e cila sipas FMN-së vazhdon të mbajë peng deri diku edhe të ardhurat fiskale. Deklarata është bërë nga zv.drejtori i FMN-së, Murilo Portugal, gjatë mbledhjes ku Bordi Ekzekutiv i FMN-së miratoi rishikimin e katërt në kuadrin e marrëveshjeve PRGF dhe EFF me Shqipërinë dhe miraton lëvrimin e 4 milionë dollarëve. Ky është rishikimi i katërt i performancës ekonomike dhe garancive financiare të Shqipërisë në kuadrin e marrëveshjes trevjeçare, Fondi i Reduktimit të Varfërisë dhe Rritjes Ekonomike (PRGF) dhe marrëveshjes së Fondit të Përgjithshëm (EFF). Bashkë me ndihmën prej 4 milionë dollarësh, ndihma trevjeçare e FMN-së arrin në afërsisht 19.9 milionë dollarë. Konkluzionet e bordit të FMN-së i bëri publike, Portugal.
Makroekonomia
“Përmbushja nga ana e Shqipërisë e politikave të matura makroekonomike dhe strukturore ka ndikuar ndjeshëm në ecurinë e fortë makroekonomike, pavarësisht sfidave të një mjedisi të jashtëm të vështirë. Në 2007-ën rritja ekonomike u përmirësua dhe inflacioni mbeti në intervalin e synuar, me gjithë thatësirën dhe çmimet në rritje për produktet ushqimore dhe energjinë. Axhenda strukturore ka bërë përparime, sidomos në fushën fiskale, ndërsa programi i privatizimit është në prag të përfundimit. Megjithatë, probleme të thella në sektorin e energjisë dolën përsëri në krye”.
Reformat
“Kuadri fiskal afatmesëm i autoriteteve i balancon në mënyrën e duhur nevojat për shpenzime shtesë për infrastrukturë dhe zhvillim me shqetësimet për stabilitet makroekonomik, duke synuar njëkohësisht të zvogëlojë rolin e qeverisë dhe të krijojë një mjedis nxitës për aktivitetin e sektorit privat. Autoritetet  kanë ndërmend të miratojnë një tavan për defiçitin jo më të lartë se 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2009 dhe vitet në vazhdim. Kjo duhet të sigurojë një garanci të besueshme për politikën fiskale në afatin e mesëm dhe të japë siguri shtesë se trajektorja në rënie e borxhit publik do të ruhet, si dhe të japë një mbështetje të mirëpritur për politikën monetare në mbajtjen të ankoruara të pritshmërive për inflacionin.
Politika monetare
“Kuadri aktual i politikës monetare, i bazuar në një bankë qendrore të pavarur me një kurs këmbimi të luhatshëm lirisht, i ka shërbyer mirë ekonomisë dhe mbetet i përshtatshëm. Veprimet në kohën e duhur të autoriteteve gjatë vitit të kaluar kanë ndihmuar në përmbajtjen e pritshmërive të inflacionit, pavarësisht presioneve nga thatësira dhe çmimet më të larta botërore për ushqimet dhe energjinë. Kufizimet në efektshmërinë e politikës monetare kanë kërkuar rregullore dhe masa mbikëqyrëse shtesë; dhe është e rëndësishme që kapaciteti rregullativ dhe i mbikëqyrjes, tashmë në një nivel relativisht të lartë, të vazhdojë të përmirësohet në linjë me maturimin e shpejtë të tregjeve financiare.
Energjia
“Një reformë e qëndrueshme e sektorit të energjisë elektrike është një prioritet, pasi do të ndihmojë në zbutjen e rreziqeve ndaj kuadrit makroekonomik dhe do të kufizonte humbjet gati fiskale. Arkëtimet duhet të përmirësohen, humbjet në rrjet duhet të pakësohen dhe tarifat të rriten. Rritja e tarifave në mars ishte një element fillestar i rëndësishëm, por përpjekje të tjera janë të nevojshme për të frenuar humbjet gati fiskale të sektorit, si dhe për të përmirësuar shanset për një privatizim të suksesshëm të kompanisë së shpërndarjes që synohet për 2008-ën, si dhe për të siguruar furnizim të sigurt me energji në afatin e mesëm”.

OST: Ja zonat pa drita në Tiranë 
Rikthehen kufizimet e energjisë elektrike në kryeqytet. Shkak për ndërprerjen e energjisë elektrike në gjashtë zona të kryeqytetit janë punimet për vendosjen e fibrave optike nga Ministria e Mbrojtjes. Në një deklaratë për mediat, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka njoftuar se sot do të stakohen dy linjat 110 kv që dalin nga nënstacioni i uzinës së Traktorëve dhe nënstacioni i Tiranës, si pasojë e vendosjes së këtyre fibrave optike nga ministria. Për këtë arsye sot do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike nga ora 08:30 deri në orën 17:00 në zonat:
Rruga e Elbasanit, rruga “Bardhyl”, “Ali Demi”, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Jashtme dhe zona e Poligrafikut. Këtë vit KESH nuk do të aplikojë grafik kufizimesh për konsumatorët. Ndërprerje të energjisë do të ketë vetëm në rastet kur ka remont.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›