E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa fitojmë me NATO-n

• Skënder Minxhozi

Kohë kontratash, kohë  llogarish. Një kontratë historike po përgatitet të nënshkruhet mes Shqipërisë dhe NATO-s në Bukuresht Kohë kontratash, kohë llogarish. Një kontratë historike po përgatitet të nënshkruhet mes Shqipërisë dhe NATO-s në Bukuresht, për marrjen e ftesës për kandidim në Aleancën Atlantike. Si në çdo rast të ngjashëm, shqiptarët presin që ky hop cilësor në statusin ndërkombëtar të vendit tonë, të japë një numër frytesh pozitive, të cilat lidhen me përmirësimin e imazhit të vendit, me stabilitetin e tij të brendshëm, me konsolidimin e pozitës së Shqipërisë në Ballkan e Evropë dhe me një impuls të pritshëm në ekonominë e varfër shqiptare. Të gjitha këto për momentin janë vetëm supozime, qoftë edhe me një përqindje të lartë mundësie për t’u realizuar. Ftesa në NATO është parë nga vendet e Lindjes evropiane, si një stad i ndërmjetëm me rrugën drejt vendosjes së lidhjeve të qëndrueshme e afatgjata me Brukselin, i nënkuptuar si BE apo edhe si NATO. Në këtë kuadër, vendi ynë nuk ka pse të jetë jashtë një skeme të tillë logjike, gjeopolitike, ekonomike e sociale.
Rregullisht kushtet dhe standardet që na janë kërkuar për t’u pranuar në NATO, kanë pasur të bëjnë shumë me cilësinë e përgjithshme të shtetit që po ndërtojmë dhe vetëm pak ose aspak me vetë reformën në forcat e armatosura. Mjafton t’i hidhet një sy kushteve që u vunë së fundi për marrjen e ftesës dhe që kishin të bënin me reformat në drejtësi dhe në sistemin elektoral, për të kuptuar sesa e vëmendshme ka qenë Aleanca Atlantike ndaj asaj pjese të zhvillimeve në vendin tonë, të cilat nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ushtrinë dhe të ardhmen e saj. Kjo rrethanë duket të jetë edhe një premisë që e bën të mirëpritur marrjen e ftesës, pasi kjo klasë politike që ka humbur kaq kohë në rrugën drejt NATO-s duhet të kuptojë më në fund që ky vend ka një nevojë ende shumë të madhe për reforma standarde. Pra, për të vazhduar hedhjen e themeleve të një shtëpie që mbetet ende për t’u ndërtuar.
Por a është ekonomikisht dhe politikisht e matshme leverdia e një ftese për në NATO? Në një mjedis ku çdo hap që hedhim drejt institucioneve evropiane dhe euro-atlantike matet me sindromën e “heqjes së vizave”, mund të thuhet se ky është një problem që e ngre një pjesë e mirë e shqiptarëve. Të mësuar me një proces të gjatë, të lodhshëm e pse jo hileqar drejt BE-së dhe NATO-s, që nga viti i largët 1991, ne jemi mësuar t’i bëjmë thjesht dhe në mënyrë “materialiste” llogaritë, kur vjen puna që të peshojmë procesin tonë të integrimit.
Së pari, le të themi që siguria, në të gjithë gjerësinë e nocionit, është përfitimi më i madh dhe imediat i ftesës që presim të marrim në Bukuresht. Ballkani i sotëm nuk është më rajoni i shpërbërjes së shteteve dhe as i luftërave humanitare. Fatmirësisht ky proces ka mbaruar, por nuk kanë mbaruar rreziqet që mbart situata e re e krijuar në rajon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ringjalljes së nacionalizmit serb dhe avancimit të Rusisë së Putinit. Në një plan më të gjerë, e gjithë Lindja evropiane duket se po rrezikon të kthehet sërish në një ambient rivaliteti e tensioni mes Moskës e Uashingtonit. Në këto kushte, siguria rajonale dhe ajo e shteteve të veçanta, rimerr një rëndësi të dorës së parë, pa lënë mënjanë rreziqet e vazhdueshme që vijnë nga fenomene si trafiqet dhe terrorizmi.
Së dyti, bashkë me sigurinë duket se bashkudhëtojnë fenomene të tjera që direkt apo indirekt influencojnë në sasinë dhe cilësinë e investimeve dhe të prezencës ndërkombëtare në Shqipëri. Ulja e elementit të riskut për vendin tonë, pas marrjes së ftesës për në NATO, parashikohet të jetë një promotor i fuqishëm i nxitjes së investimeve të huaja në vend. Gjithsesi, kjo është një premisë dhe jo një parakusht, pasi ne e dimë tashmë se kur hyjnë në “epruvetën” shqiptare, shumë prej teorive dhe skemave të provuara gjetiu, rezultojnë vetëm pjesërisht të sakta. Ambienti shqiptar, me informalitetin e tij endemik, mungesën e respektimit të ligjit dhe dobësinë e institucioneve, natyrisht që është një faktor negativ dhe që përplaset me shtysat pozitive që sjell ftesa në NATO, në fushën ekonomike e sociale. Megjithatë hedhja e këtij hapi pritet gjithsesi të japë një impakt pozitiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›