FMN, paketë 15 miliardë euro për të frenuar krizën e borxheve në vendet e rajonit, përfiton edhe Shqipëria

Nga kjo ndihmë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të përfitojnë 5 shtete të Evropës Juglindore si Rumania, Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe Greqia
Fondi Monetar Ndërkombëtar pritet të miratojë javën e ardhshme një paketë ndihme prej 15 miliardë euro, për të zbutur krizën e borxheve në vendet e rajonit, si pasojë e efekteve të krizës ekonomike në Greqi. Pjesë e kësaj pakete përfitimi është edhe Shqipëria, fqinji më i afërt i Greqisë në krizë borxhesh prej 2 vitesh. Sipas prestigjiozes britanike, “The Times”, krerët e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Bankës Evropiane të Investimeve, do të takohen në Tokio të Japonisë për të diskutuar pasojat e krizës së borxheve sovrane në Eurozonë në vendet e Ballkanit. Paketa e ndihmës së këtyre institucioneve vlerësohet se do të arrijë në 15 miliardë euro, por FMN-ja dhe Banka Botërore pritet ta kushtëzojnë ndihmën me reforma ekonomike, të cilat nuk parapëlqehen nga qeveritë e këtyre vendeve. Kredi-dhënësit pritet të diskutojnë detajet për një plan rigjallërimi ekonomik për rajonin me synimin për të koordinuar borxhin dhe investimet për bankat dhe kompanitë e tjera, si dhe për qeveritë në vështirësi. Nga të dhënat e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në disa vende të rajonit do të ketë rritje të fortë të borxhit publik, por në disa vende si Greqia, borxhi ka arritur sakaq në nivele shumë të rrezikshme. Erik Berglof, krye-ekonomist i BERZH-it, pohon për “The Times” se, “plani i rimëkëmbjes për Evropën Juglindore do të jetë një përpjekje e madhe dhe e koordinuar për të ndihmuar vendet që janë më shumë të ekspozuar nga infektimi nga kriza e Greqisë dhe eurozonës në tërësi”. “Shumë nga këto vende janë në pikë kritike”- thotë ai. Sakaq, Christine Lagarde, shefja e FMN-së ka paralajmëruar pjesëmarrësit se ngadalësimi ekonomik në Eurozonë po jep pasoja në tregjet në zhvillim, përfshirë Evropën Lindore dhe Azinë. Qeveria shqiptare është zotuar para partnerëve ekonomikë ndërkombëtarë se do vazhdojë reformat konstruktive për ta mbajtur stabilitetin ekonomik shqiptar hermetik nga ndikimi i krizës së eurozonës. Gjithashtu, një tjetër vendosmëri e qeverisë shqiptare ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll të borxhit publik, nën nivelin 59%.