E Shtunë, 31 Tetor 2026

“FMN pro ndryshimeve, PS manipulon shifrat”



Maxhoranca dhe opozita janë përplasur sërish në Komisionin e Sigurisë për Shërbimin Informativ Shtetëror. Kësaj here ka qenë buxheti. Dje në Komision u diskutua reduktimi i buxhetit dhe nëndrejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Ylli Alushi, u ankua, pasi i janë shkurtuar afërsisht 27.7 milionë lekë. "Që nga 1 maji ne nuk paguajmë punonjësit që shkojnë në shërbim. Nisur nga fakti për shkurtimet në buxhet, ata nuk kanë për t'i marrë paratë brenda këtij viti. Nuk mund të them sa ulet efektiviteti i SHISH, por jam i sigurt që ulet", tha Alushi. Por përfaqësuesja e Ministrisë së Financave deklaroi në Komision se pavarësisht këtij reduktimi, SHISH ka 3 për qind fonde më shumë se në vitin e kaluar. Kjo ka mjaftuar që deputetët e të dyja palëve të hedhin akuza. Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, deklaroi se maxhoranca kërkon të uzurpojë SHISH-in. Por deputeti i maxhorancës, Fatos Hoxha, deklaroi se po krijohet një perceptim i gabuar sikur maxhoranca po sulmon SHISH-in. "Kur diskutuam së bashku ligjin e SHISH, ramë dakord në këtë komision, por kur u prek çështja e mandatit të drejtuesve të institucionit atëherë u ndryshua qëndrimi. Askush nuk duhet ta konsiderojë veten të përhershëm. Kemi bërë gabim që nuk kemi regjistruar diskutimet e projektligjit në komision për të treguar me dokumente çfarë ka ndodhur", tha deputeti i PD-së, Hoxha. Buxheti për SHISH u vendos që të rishikohet edhe njëherë në Komisionin e Ekonomisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›