E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në buxhet, do ndërtohen vetëm 3 rrugë



nertila maho

Të gjithë objektet e reja, të parashikuara në buxhetin e vitit 2010, për të cilat nuk janë zhvilluar ende procedurat e prokurimit publik, nuk do të ndërtohen. Me ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave për buxhetin e ri, vetëm tre projekte infrastrukturore shpëtojnë pa u prekur dhe këto janë, Unaza e Re apo segmenti Tiranë-Mullet, loti katër ose Durrës-Rrogozhinë dhe loti tetë ose bypassi Plepa-Rrogozhinë. Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Skënder çota, dha dje këto detaje para Komisionit të Ekonomisë, gjatë diskutimit të projektligjit që lidhet me shkurtimet në buxhet. "Duke ju referuar listës bazë të objekteve që ishin planifikuar për këtë vit, janë hequr gjithë objektet e reja të paprokuruara, me përjashtim të tre prej tyre", tha çota. Ndërkaq, prania e tij në Komisionin e Ekonomisë vinte një ditë pas kërkesës së anëtarëve të opozitës, për të pasur në një seancë Drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve. Përgjigjia e kreut të Drejtorisë së Rrugëve duket se nuk ka kënaqur opozitën, e cila ka vijuar me kërkesën për të pasur një listë të plotë dhe të detajuar të gjithë investimeve që preken nga shkurtimet e buxhetit.
Opozita
Opozita ka kërkuar me ngulm që të ketë edhe një seancë dëgjimore me Guvernatorin e Shqipërisë, me Drejtoreshën e INSTAT, me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave dhe atë të Tatimeve, apo të Buxhetit. Këto kërkesa, ata i justifikuan me marrjen e një informacioni sa më të saktë dhe bërjes transparente të analizës mbi të cilën bazohen ndryshimet në buxhet. Kemi kërkuar një marrje të mëtejshme informacioni, lidhur me problematikën që këto ndryshime në buxhet mbartin. "Jemi shprehur për seancë dëgjimore me drejtues të lartë të institucioneve që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në ndryshimet në buxhet. Kemi kërkuar të diskutojmë me personat përgjegjës, që lidhen me buxhetin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sepse shohim se në ndryshim nga buxhetet e gjithë vendeve që kanë shkurtuar buxhetet, për arsye të krizës globale, fushat ku nuk janë prekur janë shëndetësia dhe arsimi. Ndërkohë që tek ne, shëndetësisë dhe arsimit i priten investimet në masën 22%, në ndryshim nga gjithë vendet e BE" tha deputetja Mimi Kodheli. Po kështu edhe deputeti Erion Braçe ka këmbëngulur për një seancë dëgjimore me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. "Guvernatori i ka dhënë një alarm Qeverisë, që të mos vazhdojë me huamarrjen e brendshme. Ne duam të dimë mbi ç'baza e ka thënë dhe çfarë sugjeron në vazhdim për huamarrjen e Qeverisë. Prandaj duam që ai të vijë këtu në Komision", tha Braçe. Prania e kreut të INSTAT është cilësuar si një kërkesë e rëndësishme e opozitës, për shkak të detajeve që lidhen me përllogaritjen e rritjes ekonomike të vendit. Deputeti Arben Ahmetaj u ndal te çështja e borxhit publik, duke vënë theksin mbi faktin që financat duhet të bëjnë të qartë rregullin që po ndjekin për uljen e tij. "Nëse objektivi për borxhin është 54 për qind, deri në 2013, çfarë rregulli keni përdorur për uljen e tij? Keni përdorur rregullin e uljes së shpenzimeve apo atë që lidhet me të ardhurat. Kjo do të thotë shumë për 2-3 vjetët në vijim, që do të prekin, si të ardhurat dhe shpenzimet, dhe automatikisht investimet, sepse nëse ndjekim rregullin e shpenzimeve, automatikisht do të preknim ato kapitale" konkludoi Ahmetaj. Pas dy orësh debate, opozita braktisi Komisionin e Ekonomisë, duke e justifikuar këtë me mungesën e transparencës për shkurtimet në buxhet.

Debatet në Komisionin e Ekonomisë

Mimi Kodheli (PS): Kemi kërkuar shkurtimet zë për zë në buxhet. Ka një shkurtim prej 25% të investimeve në Ministrinë e Brendshme, shkurtim drastik dhe duke pasur parasysh faktin që ne jemi në një proces të rëndësishëm, siç është liberalizimi i vizave, ku përfshihen një sërë hapash të rëndësishëm, që lidhen me këtë proces, një prej tyre është fuqizimi i policisë kufitare. Kjo do të thotë që me shkurtimet që i bëhen kësaj ministrie, mund të ketë ndikime direkte ose indirekte në këtë proces.
Rudina Seseri(PS): Për më tepër, në pjesën e transparencës do të donim analizën ekonomike që keni ndjekur për uljet që janë bërë. Mua më rezulton që nuk na keni dhënë asnjë të tillë, se si keni maksimizuar kursimin ose uljen e shpenzimit me minimalizimin e impaktit negativ që ka. Për shembull, bujqësisë i keni ulur 31 për qind dhe nuk na keni dhënë absolutisht asnjë impakt, impaktin për hektarë, impaktin mbi papunësinë. Kemi 50% të krahut të punës që jeton me bujqësi. Sa njerëz mbeten në rrugë dhe jo vetëm se eliminohen vendet e punës në ministri. Ku është impakti për hektarë, për frymë, në prodhim. Kjo është pjesa më e varfër e popullsisë.
Arben Ahmetaj(PS): Për çështjen e borxhit këtu kemi një tabelë në relacion, që do të kërkonte një qartësim sepse sipër kemi qershor 2010 dhe niveli i borxhit total me GDP-në është 57.27 për qind. Ndërkohë i referohet fundit të vitit 2010 që do të thotë që ky është plani. Mbi çfarë, GDP-je e keni vendosur gjithë këtë shifër sepse dje ministri tha që nuk ka një përllogaritje të GDP-së për 6-mujorin.
Erion Braçe(PS): Duam transparencë që të dimë çfarë po shkurtohen në secilin institucion. Kjo është e drejtë jo vetëm e deputetëve të Komisionit, por e gjithë Parlamentit. Së dyti kemi kërkuar realizmin e ligjit të buxhetit për vitin 2010, pra gjashtëmujorin. Një tabelë e treguesve fiskalë të realizuar, ne mendojmë se duhet ta kemi. Duam të dimë sa është GDP-ja për tre mujorin e parë të vitit dhe mënyra e përllogaritjes.
Sybi Hida (PD): Buxheti i shtetit nuk është leva që zgjidh gjithë problemet. Vijmë me këtë shkurtim të planifikuar, për shkak të uljes së rritjes ekonomike, nga 6 për qind, i parashikuar, i ulur në 4 për qind. Këto ndryshime në buxhet janë efekt i analizës së ekonomisë reale.
Flamur Noka(PD): Ne jemi njerëz që kemi punë dhe ngarkesë, nëse zotërinjtë nuk kanë punë dhe duan të tjerrin lesh këtu, ne nuk jemi për këtë. Koha jonë sigurisht që nuk mund të çohet dëm. Ka edhe një gjë tjetër, ju lutem nuk mund të pranojmë që pyetjet të ripërsëriten dhe të dëgjojmë të njëjtën gjë në dy ditë, tre-katër herë.
Selami Xhepa (PD): Mendoj se ekonomia nuk është kaq në një situatë kaq të nxehtë sa po bëhet këtu dhe nëse e ndajmë nga politika do të ishte më mirë. Reformat strukturore që duhet të bëjmë janë ato që duhet të përfshijmë në debat. Një tjetër temë e debatit duhet të jetë eficenca e përdorimit të fondeve për investime. Sa i përket Bankës Qendrore, kjo bankë e ka të ndalur me ligj të japë hua t'i drejtpërdrejtë Qeverisë, ndërsa mënyra si e menaxhon huanë një Qeveri është punë e saj.
Edmond Spaho(PD): Nuk duhet ta ulim veten kaq shumë dhe le të përqendrohemi që të flasim për politikat që implikojnë këto ndryshime në buxhet sepse kjo do të thotë që ne nuk jemi në gjendje që të merremi me ato të mëdhatë dhe merremi me gjëra të vogla.
Albert çaçi(PS): është e qartë që shohim dy Shqipëri të ndryshme këtu. Ju shikoni një Shqipëri me ekonomi të lulëzuar, kurse ne shohim një Shqipëri tjetër dhe për fat të keq, kjo që shohim ne që është më afër realitetit. Këto shkurtime janë masa anti-krizë dhe për herë të parë kjo Qeveri pranon vështirësitë në ekonomi. Ajo që është problem është të pranoni krizën, sepse veprimi që ju bëni është anti-krizë. Kemi dhe një avantazh që këtë vit nuk është vit elektoral sepse buxheti bëhet në tym. Ne jemi vend që për 100 vota bëjmë një rrugë 1 milionë euro. Ndërkohë që në Vlorë, qytet me rëndësi strategjike, akoma nuk ka shkuar autostrada.
Ervin Koçi(PS): Shqetësimi ynë është nëse është realist ky buxhet që kemi para apo jo. Ne ju kërkuam në nëntor këtë pjesë dhe ju e konfirmuat, sot po kërkojmë këtë duke e bazuar në të dhëna më transparente. Prandaj dhe kërkojmë një seancë dëgjimore me organe të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›