E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me më të mirët e Botërorit, identikiti i lojtarit perfekt



Pas paraqitjeve të bëra nga futbollistët në Kupën e Botës, është bërë edhe një profil i lojtarit perfekt, duke marrë pikat më të forta të tyre. Koka - Diego Forlan. Fituesi i çmimit si Lojtari më i Mirë i Kupës së Botës ka qenë një nga lojtarët më të kompletuar dhe decizivë të kompeticionit. Ai ka qenë futbollisti më i zgjuar me lëvizjet e tij në fushën e lojës, por në të njëjtën kohë edhe shumë i saktë në goditjet me kokë.
Sytë - Mesut Ozil. Gjermania zhvilloi një futboll me të vërtetë të bukur dhe kundërsulmet e saj ishte shumë të frikshme. Gjithsesi, për t'i nisur ato duhej vizioni i jashtëzakonshëm i 21-vjeçarit Mesut Ozil, i cili tregoi një aftësi të shkëlqyer me pasimet e tij.
Hunda - David Vila. Shënoi plot pesë gola, me një finalizim të shkëlqyer, por ajo që është për t'u vlerësuar më shumë te sulmuesi spanjoll, është pikërisht nuhatja e tij. Ai e di gjithmonë se në çfarë pozicioni duhet ta presë topin dhe nuhat se kur është momenti i duhur për të sulmuar ose gjuajtur.
Goja - Frenk Lampard. Mbase nuk bëri ndonjë paraqitje të shkëlqyer, por në ndeshjen e Anglisë, sidomos kundër Sllovenisë, u duk qartë se ai ishte lideri i vërtetë i skuadrës në fushë. U fliste gjatë gjithë kohës shokëve të tij, duke i koordinuar ata në fushë, detyrë që në fakt duhet ta bënte Terri më mirë.
Zemra - Asamoah Gian. Sulmuesi i Ganës humbi penalltinë që i kushtoi kualifikimin kombëtares së tij, por ai tregoi se është një futbollist me një zemër shumë të fortë. Mori përsipër të gjuajë të gjitha penalltitë e skuadrës, duke mos u trembur aspak. Edhe pse ndaj Uruguait humbi një 11-metërsh, pak minuta më pas ai mori përsipër të gjuajë një tjetër penallti.
Duart - Luis Suarez. Mbase duhet të ishte përzgjedhur ndonjë portier, por pritjet më rezultative i bëri pikërisht sulmuesi i Uruguait. Në ndeshjen kundër Ganës, ai evitoi me duar një gol të sigurt. Veprimi që bëri i kushtoi nxjerrjen me karton të kuq dhe një ndeshje pezullim, por në të vërtetë i dhuroi kualifikimin për në gjysmëfinale kombëtares së tij.
Mushkëritë - Bastian Shvajnshtaiger. Zuri vendin e Balakut në përfaqësuese, të cilin e zëvendësoi shkëlqyeshëm. Shvajni nuk tregoi për asnjë minutë shenja lodhjeje, përkundrazi vrapoi plot 79.8 kilometra në ndeshjet që zhvilloi në Botëror. Vetëm Ksavi Hernandez vrapoi më shumë se ai, pikërisht 400 metra, por luajti edhe më shumë minuta. Me të vërtetë mushkëri për t'u admiruar ato të mesfushorit gjerman.
Këmbët - Havier Hernandez. Vetëm 22 vjeç, por futbollisti meksikan i mahniti të gjithë me paraqitjen e tij, aq sa meritoi edhe një "biletë" për t'u transferuar te Mançester Junajtid. Hernandez ishte dhe futbollisti më i shpejtë i Botërorit, me një shpejtësi maksimale prej 32.15 km/h.
Këmba e majtë - Xhovani van Bronkhorst. Mbase është i madh në moshë për një futbollist, plot 35 vjeç, por këmba e tij e majtë nuk ndryshon. Një "armë" që nuk ndryshket kurrë. Goli i shënuar në Kupën e Botës, nga një gjuajtje prej më shumë se 40 metrash, tregoi qartë se ai gëzon ende forcën për një nga gjuajtjet më të mira në botë.
Këmba e djathtë - Uesli Shnajder. Shumë fantazi në lojën e tij, por mesfushori i Holandës kishte edhe një cilësi më shumë se kaq. Goditjet e tij nga jashtë zonës kanë qenë gjithmonë mahnitëse dhe një rrezik shumë i madh për portierët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›