Ndryshimi në buxhet,përgjysmohen tarifat e celularëve për të gjithë punonjësit në shtet
Erald Kapri
Kriza ekonomike prek edhe celularët e të gjithë titullarëve të shtetit. Ministria e Financave, me anë të një udhëzimi, do të përgjysmojë bonusin për telefonin celular që merr çdo titullar institucioni në vend, madje duke mos kursyer, që nga deputetët e deri tek Presidenti, Kryeministri, ministrat, gjykatësit, prokurorët, drejtorët etj. Konfirmimi erdhi dje në Komisionin e Ligjeve, ku Drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, deklaroi se me këtë nismë do të kursehen të paktën 250 milionë lekë ose afërsisht 2.5 milionë dollarë. "Jemi duke nxjerrë një udhëzim për të shkurtuar dyfish, për të përgjysmuar tarifat për celularët. Vetëm nga kjo ne kursejmë rreth 250 deri në 300 milionë lekë. Nga kjo do të preket i gjithë shteti, pa përjashtim. Këtë gjë na e lejon ligji", tha Dhëmbi. Kështu, çdo zyrtar që merr para në rrogën e tij për shërbimin celular, automatikisht do t'i përgjysmohet. Ajo tha më tej se do të kërkohet edhe mendimi i ligjit për makinat e zyrtarëve, pasi është vërejtur se ka pasur abuzime, shumë zyrtarë përdorin edhe makinat si dhe marrin edhe bonuset e karburantit. Deputetët e pranuan këtë nismë, madje ata shtuan se ka abuzime me ligjin e makinave të zyrtarëve, duke qenë se shumë prej titullarëve përdorin edhe makinat, në një kohë që marrin bonusin e karburantit. Sipas deputetes së PD-së, Mesila Doda, është e papranueshme që këshilltarë të ministrave apo drejtues të marrin të njëjtat bonuse me deputetët. Në komision u bë e ditur se do të ketë vendime të ligjit.
Debati
Por në komisionin e ligjeve, pati një debat të ashpër në lidhje me çështjen e buxhetit. Mëse 10 deputetë të opozitës kanë kërkuar të vijnë mëse 16 titullarët e institucioneve të pavarura, për të raportuar për shkurtimet në buxhet. Por kërkesa e opozitës u pranua pjesërisht. "Neni 36 nuk i vendos kufizim për deputetët se çfarë duhet të kërkojnë ata për seancë dëgjimore. Mjafton ta motivojnë kërkesën, s'mund të dilni kundër rregullores", tha deputeti i PS-së Tahiri. Por kreu i Komisionit u shpreh se respekton rregulloren. Në fund u vendos që institucione si Presidenca, Ministria e Drejtësisë, Zyra e Buxhetit të Gjyqësorit, KLD-ja, Gjykata Kushtetuese, Shkolla e Magjistraturës, Prokuroria, Avokati i Popullit, Ministria e Brendshme të vijnë në një seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve dhe të shprehin pretendimet e tyre për shkurtimin e fondeve në buxhet.
Debati në Komisionin e Ligjeve
Saimir Tahiri: Nuk e kuptoj pse bën sherr kot. Më lër të mbaroj. Mos më ndërhy.
Ilir Rusmali: Kërkesa jote procedurale zgjat vetëm 2 minuta. Duhet të respektojmë edhe kolegët
Saimir Tahiri: Neni 36 nuk u vendos kufizim deputetëve se çfarë duhet të kërkojnë ata për seancë dëgjimore. Mjafton ta motivojnë kërkesën dhe s'mund të dilni kundër rregullores. Ne kemi kërkuar edhe KLSH, dhe pse ky institucion mund të mos vijë.
Ilir Rusmali: Ju lutem paraqitni kërkesën tuaj procedurale.
Bashkim Fino: Shoku Rusmali, ju lutem ju s'keni të drejtë t'ia ndërprisni fjalën. Po të ishte këtu Jozefina ju kishte nxjerrë jashtë.
Ilir Rusmali: Kërkesa juaj është pa objekt procedural. Kryetari i Komisionit, në përputhje me paragrafin e dytë të nenin 36. Nuk ua lexoj më sepse nuk jam këtu që t'ua lexoj kalamajve të kopshtit. As fëmijëve të kopshtit apo fëmijëve të shkollës. Unë bëra një referencë të qartë.
Ermonela Felaj: Ju lutem, mos na e lexo më fare
Ilir Rusmali: Ore jeni bërë të gjithë luanë dhe luanesha sot. çfarë ka ndodhur kështu. Ju dilni lepuj, siç thotë zoti Tahiri, por qenkeni luanë.
Saimir Tahiri: Je mësuar ti me lepuj. Respekto kërkesën tonë
Ilir Rusmali: Kërkesa e 10 deputetëve të opozitës u mor parasysh nga Komisioni. Nëse ndokush deputet ka ndonjë ankesë për rregulloren, të paraqitet tek organi kompetent.
Bashkim Fino: Fëmijë kopshti. çfarë është kjo? Ju kryetar jeni mbi palët, duhet të kërkoni falje.
Pandeli Majko: Unë kam një shqetësim. Shoh që në hierarkinë e shtetit ka një mosakordancë në pagesat që bëhen. Nuk e di e a keni parë këtë sepse ka të tjerë që paguhen më shumë se një deputet.
Mimoza Dhëmbi (Ministria e Financave): Mund t'u them që jemi duke nxjerrë një udhëzim për të shkurtuar me dyfish, për të përgjysmuar tarifat për celularët. Vetëm nga kjo ne kursejmë rreth 250 deri në 300 milionë lekë. Nga kjo do të preket i gjithë shteti, pa përjashtim. Këtë gjë na e lejon ligji.
Pandeli Majko: Pra kursyet mbi 2.5 milionë dollarë?
Mimoza Dhëmbi (Ministria e Financave): Po sigurisht. Mund të duket si diçka e vogël shpenzimi për celularët, por në fakt kështu është. Kursejmë 250 milionë lekë menjëherë.
Mesila Doda: A është në shqetësimin tuaj çështja e bonuseve të karburantit sepse shohim që një deputet barazohet me këshilltarë apo me drejtorë. Kemi parë që edhe abuzohet me këtë, pasi një pjesë e titullarëve përdorin makinat, por marrin edhe bonuset.
Mimoza Dhëmbi (Ministria e Financave): Sigurisht që e kemi parë dhe unë mendoj se duhet amenduar ligji për këtë, pasi kështu është parashikuar. Por mund t'u them që pas daljes së ligjit, kishim shkresa nga drejtues institucionesh, për të paguar bonuse ndaj drejtuesve në institucioneve. Atje ku e kemi parë jo të domosdoshme, nuk i kemi çelur dhe kemi kursyer mbi 200 milionë lekë nga kjo. Ne do të prekim edhe dietat apo udhëtimet jashtë shtetit.
“Nuk preken fondet e të përndjekurve e pronarëve”
Ministria e Financave shprehet se nuk preken fondet faktike për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, si dhe kompensimi i ish-pronarëve. Drejtoresha e Buxhetit të Ministrisë së Financave, Mimoza Dhëmbi, tha dje në Komisionin e Ligjeve se këto kategori do të marrin shumën e premtuar. "Për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët nuk preket fondi real i tyre. Nga viti i kaluar keni një fond të trashëguar prej 500 milionë lekësh të trashëguar, të papërdorur, i mbledhur nga ALUIZNI. Nga ana tjetër, jo i gjithë fondi i ish-të përndjekurve është përdorur, kjo për shkak se ka një procedurë që bëhet pas miratimit të dosjeve, e cila është në vijim e sipër. Kjo shihet në kapacitetin se sa dosje miratohen", tha Dhëmbi.