Firma përgjegjëse “Arti” lidhje me pushtetarët e PD
Mes të arrestuarve si përgjegjës për tragjedinë e ndodhur të dielën në Gjirokastër, kur nga shembja e pallatit humbën jetën tre persona është dhe kushëriri i kreut lokal të PD--së. Lajmi publikohet sot në "G. Sh".
GJIROKASTER- Hetimet e policisë për tragjedinë e dy ditëve më parë në Gjirokastër ku u shemb pallati pesë katësh dhe vdiqën 3 persona ka vënë në pranga 8 vetë, zyrtarë lokalë dhe punonjës të firmës së ndërtimit. Pasditen e djeshme u bë edhe sekuestrimi i gjithë llogarive bankare dhe pasuritë e paluajtshme të firmës “Arti-Ndërtim sh.p.k”, përgjegjëse si shkaktare e tragjedisë. Mes të arrestuarve, sipas burimeve për Gazetën, është dhe Njazi Çobani, arkitekti i firmës, djalë xhaxhai i Xhevdet Çobanit, kreut lokal të PD-së. “Mbi të arrestuarit rëndon akuza e shkeljes së rregullave teknike, abuzimit me detyrën me pasoja në viktima e dëm ekonomik. Sekuestrimi i llogarive bankare dhe pasurive të firmës që po ndërtonte pallatin e ri u bë me urdhër të prokurorisë. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë” - tha zëdhënësi i Drejtorisë Policisë Gjirokastër.
ARRESTIMET
Policia pohon se fillimisht u shoqëruan 12 persona për hetime rreth shembjes së pallatit, ndërkohë që në orët e para të mëngjesit të së dielës, u morën masa të menjëhershme për të mos lejuar largimin e tyre drejt Greqisë. “Tre prej të arrestuarve, u ndaluan pasditen e së dielës në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës” – tha zëdhënësi. Të arrestuarit janë, Afërdita Papamihali, kryetare e KRRT-së së Gjirokastrës; Alfred Mamani, shefi i urbanistikës; Admir Shehaj, përgjegjës i Inspektoriatit të Ndërtimit në bashki; Thanas Llahana, inxhinier-gjeolog; Sotiraq Janora, drejtues teknik i firmës ndërtuese “Arti sh.p.k”; Jani Ndriço ekskavatorist; Luan Bufi inxhinier; Gjergji Meçi, inxhinier zbatues dhe Njazi Çobani, arkitekt i firmës ndërtuese “Arti sh.p.k”. Burime për gazetën thonë se firma e akuzuar si shkaktare, është e lidhur me partiakë e drejtues vendorë në Gjirokastër. Përveç inxhinierit zbatues (i arrestuar) që është kushëri i parë i kryetarit të PD-së Gjirokastër, përfliten se në pallatin që po ngrihej të kenë aksione dhe drejtues lokalë të tatim-taksave e pushtetarë të tjerë.
FIRMA
Nga burimet zyrtare mësohet se “Arti sh.p.k”, është krijuar në muajin qershor të këtij viti me bashkëpronar Sotiraq Janorën dhe Aristotel Haxhiun. “Është e patolerueshme që një firmë e re pa asnjë ditë punë, pa përvojë të marrë përsipër ndërtimin e një pallati 7 katësh. Firma “Arti sh.p.k”, kurrsesi nuk duhej të merrte këtë përgjegjësi. Kjo firmë nuk ka vendosur një tullë, e jo më të ndërtojë një pallat. Deri tani nuk ka ndodhur që njerëz anonimë që kanë siguruar lekë në mënyra të ndryshme të ndërmarrin inisiativa të tilla që shkojnë deri në aventura. Drejtësia duhet të flasë. Gjithsesi në raste të tilla duhet ndërhyrja dhe verdikti i drejtësisë”- thonë zyrtarët lokalë të shoqatës së ndërtuesve.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)