E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autopsia vdekja e tre personave nga trauma

Pak orë pasi nga rrënojat e pallatit të shembur u nxorën trupat e pajetë të tre personave, në Gjirokastër filluan të qarkullonin fjalë se vdekja e të paktën dy prej tre viktimave erdhi për shkak të vonesave në operacionin e kërkim-shpëtimit.

Sipas disa të afërmve të viktimave, të paktën gruaja 40 vjeçe dhe vajza e saj e mitur kishin vdekur nën rrënoja nga mungesa e ajrit, çka do të thotë se ato mund të ishin gjallë nëse operacioni i kërkim-shpëtimit do të ishte i shpejtë.

Por burime nga spitali i Gjirokastrës, ku u bë dje në mbrëmje autopsia e tre viktimave të tragjedisë, sqarojnë se vdekja e të tre personave ka ardhur për shkak të traumës.

Sipas një mjeku që asistoi në këqyrjen e kufomave, të tre trupat kishin fraktura të shumta. Ndërkohë, edhe zjarrfikësit që nxorën trupat nga rrënojat thanë se dëmtimet e tre kufomave ishin të mëdha.

Gjithsesi, mjekësia ligjore nuk ka nxjerrë ende një raport zyrtar për shkaqet e vdekjeve dhe deri sa të dalë ky raport, hamendësimet mund të jenë të gjithfarëllojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›