E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia, Ina Rama kryeson hetimet

Tragjedia e Gjirokastrës ka mobilizuar Prokurorinë e Përgjithshme në vënien para drejtësisë së “arkitektëve” që sollën rrëzimin e një pallati, duke shkaktuar tre viktima dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Ngjarja ka kaluar në vëmendjen parësore të Kryeprokurores Ina Rama, e cila gjatë gjithë kohës ka mbajtur kontakte me drejtuesin e Prokurorisë së Gjirokastrës, Alfred Saliu.

Nëpërmjet telefonatave, sipas burimeve nga akuza qendrore, Rama i ka kërkuar prokurorit në fjalë të kryejë të gjitha hetimet e nevojshme me të gjithë personat e përfshirë.

Përgjigjja ka qenë me “punë”, ku brenda një kohe të shkurtër janë vënë nën akuzë tetë persona. Burime nga akuza qendrore kanë thënë se dosja është regjistruar disa orë pas tragjedisë, ku pesë persona akuzohen për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërsa tre të tjerë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Akuza e parë parashikon një dënim jo më pak se 5 vjet burg. Pra, nëse vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprën penale, atëherë masa e dënimit ndaj tyre do të jetë minimalja pesë vjet.

Ndërsa akuza e shpërdorimit të detyrës është ngritur ndaj zyrtarëve të Bashkisë së Gjirokastrës.

Paraprakisht janë vënë nën akuzë tre persona, por burime nga Prokuroria e Përgjithshme saktësojnë se disa persona të tjerë janë nën hetim. Burimet pohojnë se gjatë ditëve në vijim pritet të japë shpjegime edhe kryetari i bashkisë, Flamur Bime, ndërsa nuk përjashtohet hetimi i rolit të tij në këtë ngjarje. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›