E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN, qeverisë: Jo rritje pagash gjatë këtij viti

TIRANE- FMN i kërkon qeverisë shqiptare që të rindërtojë mekanizmat mbrojtës dhe të shtrëngojë politikat fiskale në mënyrë që të ruhet stabiliteti makroekonomik i vazhduar.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar një ditë më parë, ku përmblidhen konkluzionet paraprake të misionit deri me 10 mars, Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkon qeverisë që të tërhiqet nga rritja e pagave dhe pensioneve gjatë këtij viti, për të mbajtur nën kontroll financat e drobitura publike.

Në këtë deklaratë nënvizohet : “Është shumë e rëndësishme që shpenzimet korrente të rishikohen dhe pagat dhe pensionet të mbahen nën kontroll. Kjo mund të bëhet duke i indeksuar këto të fundit vetëm pas inflacionit” deklaron Fondi, cka do të thotë një rritje pagash në masën 3 deri në 3.5 për qind, gati tre herë më pak nga premtimet e qeverisë që deklaron rritje të mesatare 10 për qind. Por vec pagave FMN thotë se rishikimi i shpenzimeve duhet të prekë të gjitha zërat kryesorë të buxhetit.

Në deklaratë theksohet se “Rritja e kohëve të fundit në shpenzime ka hedhur dyshime mbi aftësinë e qeverisë për të mbajtur një sektor publik të vogël. Në situatën e tanishme, kjo kërkon që të mos shpenzohet sasia e mbetur e kontigjencave prej 0.4% të PBB-së në buxhetin e 2010. Ajo që është më thelbësore dhe me një efekt më afatgjatë, është e rëndësishme që investimet publike të sillen përsëri në nivele më të financueshme dhe më të menaxhueshme nga ana administrative pas përfundimit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Po aq e rëndësishme është që shpenzimet korente të rishikohen me synim për të optimizuar shërbimin civil dhe për të mbajtur pagat dhe pensionet nën kontroll. Këtë situatë mund t’a ndihmonte indeksimi i këtyre të fundit vetëm me inflacionin.”

Në parashikimin e saj për të ardhmen e ekonomisë shqiptare FMN dekleron se ekonomia duhet të zgjerojë burimet e rritjes dhe të forcojë konkurueshmërinë. Kjo kërkon përmirësime të shpejta në mjedisin e biznesit dhe në mbrojtjen e investitorëve për të sjellë më shumë investime vendase dhe të huaja, për të rritur produktivitetin e Shqipërisë dhe për të ndihmuar eksportet shqiptare që të ngjisin shkallën e vlerës së shtuar.
Prioritetet për veprim janë: hendeku i konsiderueshëm i zbatimit të rregullave formale, mungesa e sigurisë për të drejtat e pronësisë (përfshirë pronësinë e tokës), dhe ekonomia informale. Burimet e financimit për të tilla investime mund të rriten nga gjetja e investitoreve të rinj institucionalë, si p.sh. nëpërmjet përshpejtimit të reformës së pensioneve.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›