Përse nuk ka ende kontradiktë brezash në politikë?
Artan Fuga
Në prag të zgjedhjeve duket se po krijohet ideja e një kontradikte brezash, ndarje në “të rinj” dhe “të vjetër”. Kjo është shfaqur dukshëm sidomos në debatet mediatike. Ndërkohë që shumë të rinj në moshë po demonstrojnë në mënyrë agresive egon e tyre për karrierë politike apo pushtet. Si e shikoni këtë fenomen? Cilat mund të jenë efektet e tij në jetën politike e shoqërore të vendit?
Unë kam mendimin se pikërisht problemi është se nuk po shfaqet asnjë kontradiktë brezash në debatet politike që ndjek sa herë kam kohë darkave në televizion midis kandidatëve apo politikanëve me moshë të re apo të atyre me moshë mesatare apo disi më të pjekur.
Kontradikta e brezave do të ishte diçka e mirë dhe jo diçka që ka vend për t’u shqetësuar. Shqetësimi që kam, po ua them me sinqeritet të plotë, pa dorashka, është pikërisht se nuk po shfaqet ajo kontradiktë brezash, ajo politikë e re, për të cilën flitet aq shumë. Kuptohet se ka fytyra të reja që dalin në media, kanë një komunikim verbal disi më të hedhur, disa kanë pretendime se dëshirojnë të sjellin diçka të re në politikë, por mërzia dhe shqetësimi im është se kjo mbetet herë-herë vetëm si kërkesë, si pretendim, si formë, ndërsa në përmbajtje, mbase edhe në strategjitë e komunikimit, nuk po shoh ende një politikë të bërë ndryshe nga politikanët e rinj. Nuk shoh ende aq sa do të uroja që të rinjtë të sillen ndryshe, të mendojnë ndryshe, të prodhojnë ide të reja, në kontradiktë me ato që kanë qarkulluar në Shqipëri 20 vitet e fundit.
Unë kërkoj më shumë rini nga rinia.
Them se kjo më bën paksa pesimist, jo ngaqë nuk e kuptoj se përse ndodh kështu, por thjesht nga dëshira e madhe që kam që kontradikta e vërtetë e brezave të shfaqet edhe në politikë sikurse ajo shfaqet në familje, në kulturë, në arsimim apo në jetën shoqërore. Në idetë politike ka një ngërç idesh dhe sjelljesh dhe kjo ka shpjegimin e vet.
Brezi i ri që nuk merret me politikë, se ata që merren me politikë janë shumë pak, e ka zhvilluar këtë kontradiktë brezash në të gjithë hapësirat publike me përjashtim të politikës. E ka shfaqur në mënyrën sesi e bën gazetarinë, si e kalon kohën e lirë, si e ndërton dijen e vet, si e merr informacionin etj. Vetëm formimin filozofik të brezave të marrësh në shqyrtim dhe e ndjen hapur se midis brezit të prindërve dhe brezit të të rinjve të sotëm ka ndodhur hapja e një hendeku të paparë. Po të hynin në diskutime filozofike prindërit me fëmijët e tyre studentë, do të shihnin se mënyrat e tyre të të kuptuarit filozofik të botës ndryshojnë si nata me ditën. Besoj se më kuptoni dhe më besoni se di se çfarë them në këtë fushë meqë jam në kontakte jashtëzakonisht të shpeshta si me botën studentore ashtu edhe me prindërit e të rinjve të sotëm. Janë dy botë të ndryshme. Ata tipa skolastikë që e mohojnë këtë kontrast brezash i kanë shkëputur fijet e komunikimit me brezin e ri, sikur të ishin mbyllur në ndonjë manastir rural.
Mbi brezin e ri që ka vendosur të merret me politikë nuk duhet hedhur guri edhe nëse sikurse thoni ju disa të rinj manifestojnë ndonjë ego shumë të zhvilluar apo prirje të skajshme për të pasur pushtet. Kështu është brezi i ri. Ja u thashë, kur trishtohem nga performanca e dobët e ndonjë të riu apo të reje në televizion, përsëri e përmbaj veten sepse nëpër mend më vjen ajo fjalia e rëndë që ripërsëritet me ndërprerje në historinë e Shqipërisë: “Daleni more djema, se ka ca gjëra që nuk i dini mirë ju ...!”
Nuk e dua ta përsëris atë frazë dhe kur e kap veten duke kritikuar me mend ndonjë të ri apo të re që flet fare pa përgjegjësi nëpër media, duke abuzuar me hapësirën publike që i është vendosur në dispozicion, më duket vetja si ballist që në vitet e luftës u thoshte të rinjve që kishin dalë malit për liri: “Daleni, more djema, se nuk i dini ca gjëra ju...”
Më duket sikur kam qenë edhe në godinën e universitetit shtetëror të Tiranës atë ditë dhjetori të vitit 1991 kur studentëve që kërkonin pluralizmin politik dhe demokraci, iu thoshin partiakët e kohës: “Daleni more djema, se nuk i dini ca gjëra ju...”.
“...Daleni more djema se nuk i dini ca gjëra ju, sepse nga Perandoria Osmane nuk duhet me u shkëput, por duhet të kërkojmë vetëm autonomi”. Një dijetar me mjekër ua thoshte këtë shprehje rinisë së malit që kërkonte shkëputje nga osmanët që nga dekadat e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. “Daleni more djema... ka ca gjëra që nuk i dini” - iu thoshte edhe gjykata mbretërore Qemal Stafës dhe shokëve të tij në atë proces të viteve ’30.
“Daleni more djema se ca gjëra janë paksa më të ndërlikuara sesa i dini ju...”. Fraza e tmerrshme që e kanë përsëritur pa fund, pa dashur, rilindas, zogistë, ballistë, komunistë të moshave të mesme apo edhe më të pjekura të rinjve më vjen ndërmend në ato raste kur ndihem kritik dhe ndruhem prej saj. Brenda saj fshihet edhe një konservatorizëm gjenerate, por, problemi, drama, është se brenda saj ka edhe të vërteta të rëndësishme. Shpata është me dy tehe.
Ka sigurisht në skenën politike dhe mediatike të vendit të rinj në moshë që mëtojnë vende deputetësh në Kuvendin e ardhshëm. Krahasuar me moshën e kandidatëve për deputetë në demokracitë e pjekura, ata janë fare të rinj. Por, nga ana tjetër, ky fenomen kuptohet se ka lidhje me faktin se jemi shoqëri që ka pasur tronditje të forta brenda klasës politike dhe elitat politike janë fshirë nga ngjarjet historike virulente duke krijuar zona boshllëku. Kjo prirje nuk prek vetëm politikën, por edhe gazetarinë, ekspertizën, profesoratin masiv të nivelit të mesëm akademik, etj. Kjo ka bërë që në këto radhë elitash të ketë më shumë gjallëri, më shumë freski, por edhe më shumë naivitet, utopi, mendjelehtësi sesa në elitat korresponduese të botës perëndimore. Kjo është historia nuk ke se çfarë t’i bësh. Duhet marrë me të mirat dhe problemet e saj. Aq më shumë që shoqëria shqiptare ka një strukturë moshore shumë më të re sesa ajo perëndimore që ndjehet e plakur.
Po ashtu, trishtimin ma heq disi fakti që edhe në raste të tjera në histori, gjallëria e rinisë, ndonëse e drejtuar jo me saktësi, ka sjellë rezultate emancipuese. Nuk mund të thuhet se në histori çdo veprim i gabuar sjell vetëm pasoja negative. Nuk është e vërtetë, Nuk është si në një problem aritmetik. Për shembull, nuk kam takuar ndonjë të ri të vitit 1968 që merrte pjesë në barrikadat e lëvizjeve studentore të majit në Paris, Berlin, Pragë, etj., që të mos qeshë me ironi për sloganet utopike që kishte thërritur nëpër asambletë studentore të asaj kohe. Në moshë të pjekur tani i duket një ëndërr utopike rinore ajo që kishte ndodhur, që kishte kërkuar. Por, nga ana tjetër, ato lëvizje sollën emancipim pavarësisht edhe vetë ndërgjegjes historike të pjesëmarrësve në lëvizjet e asaj kohe.
Unë i përmbahem idesë antihegeliane se historia bëhet duke mos u njohur.
Tjetër janë qëllimet që i motivojnë në histori aktorët politikë dhe krejt tjetër gjë sjellin ata si rezultat që i lihet trashëgim së ardhmes.
“Daleni more djema mos u nxitoni, se nuk janë ashtu ca gjëra...”.
Fraza vjen e rivjen...
Ka ta rinj që kanë gjykim të pjekur për moshën e tyre, por ka edhe të rinj që duket se hedhja me katapultë në skenën politike i ka gjetur të papërgatitur moralisht, profesionalisht dhe politikisht bile. Duket se nuk kanë asnjë botëkuptim politik të qëndrueshëm. Për këtë disi e kanë edhe përgjegjësinë deputetë që ndonëse janë në një moshë që i lejon të ecin me hapin e kohës, duken aq të vjetër, aq të mefshtë, aq pa veprim, aq të tejkaluar nga koha saqë janë vetë ata që e kanë lënë vendin bosh dhe nuk reagojnë për t’u treguar aktivë... Këta deputetë që janë mësuar ta presin lëvizjen politike dhe fatin e tyre nga shefat nuk kanë përse ankohen. Ata do të dalin nga politika. Vetë ata me heshtjen e tyre naive po firmosin pensionin e parakohshëm. Nuk kam asnjë nostalgji.
Punë e tyre.
Por, nga ana tjetër, jam krejt kundërshtar i idesë që të rinjtë të hyjnë në politikë me frymëzimin se duhet të hedhin tej gjithçka që ka ndodhur, të gjitha vlerat që ka akumuluar në politikë kombi, pra të harrojnë kujtesën politike të kombit. Kur shoh të rinj që e përsërisin pa menduar këtë slogan të politikës së vjetër më vjen keq në radhë të parë për ta, pastaj gjykoj se kjo nuk është e mundur, për shkak sesa do me gabime, naivitete, turbullira ta kemi bërë politikën ne shqiptarët, përsëri kemi arritur gjëra të mëdha në një botë plot kriza, konfrontime, rivalitete, rreziqe.
Ndal!
Larg shprehjes: “Daleni more djema... nuk janë ashtu ca gjëra!”
Çfarë do të doja të përbënte moralin e atyre që në moshë të re kërkojnë në të drejtë të tyre të hyjnë në Kuvendin e ardhshëm, e që në fund të fundit ia u njeh ligja themeltare e shtetit qysh në moshën tetëmbëdhjetë vjeç?
Në politikë hyhet për pasion, për t’i shërbyer së mirës publike dhe jo vetëm për pushtet. Nuk është kryefjala marrja e pushtetit, por kontributi për shoqërinë. Kam dëshirë të dëgjoj një të ri, të çdo krahu politik, ta thotë një njëherë të vetme që edhe në opozitë do të dinte ta mbante barrën politike që i takon një opozitari. Më duket se të rinjtë i stërvitin për të qenë fitimtarë, ndërkohë dikush duhet të mbajë edhe barrën e humbësit, t’i rezistojë pushtetit, çfarëdo ngjyre politike që të ketë, të mos ketë asnjë privilegj, të mos komandojë. Politikanët e rinj janë mësuar të luajnë në sulm, por kanë nevojë të mësojnë edhe mbrojtjen.
Pastaj do të mësojnë se nuk ka asnjë propozim politik dhe ekonomik të përsosur. Jo vetëm sepse çdo alternativë shoqërohet me ato që quhen dukuri perverse të padëshirueshme, pra me anë negative, por edhe sepse politika i ka kufijtë e veprimit dhe të ndikimit mbi shoqërinë tepër të kufizuar, gjithnjë e më të kufizuar. Kur mendoj se në çfarë kushtesh të vështira ekonomike dhe financiare ndërkombëtare do të veprojë qeveria e pas 28 qershorit, nuk di shumë të përgjigjem... Por edhe nuk bindem nga ato që shoh e dëgjoj. Disa herë propozimet janë kontradiktore, jo vetëm të të rinjve, por edhe atyre që janë në moshë më të pjekur. Po të shohësh të gjitha palët kërkojnë zgjidhje te shtimi i masës së parave në qarkullim. Nuk më duket keq kjo. Por, nëse është kështu çfarë kuptimi ka të kritikosh rritjen e pensioneve në fshat, kur propozon heqjen e akcizës së naftës... Ose e kundërta, çfarë kuptimi ka të kritikosh heqjen apo uljen e akcizës së naftës, kur propozon shtimin e pensioneve. Në fund gjithçka përmblidhet te ajo se alternativat politike janë dakord që të rriten flukset financiare drejt fshatit. A nuk do të rriten edhe çmimet ? Në çdo rast po, por se mos është ndonjë veçanti shqiptare për t’u zënë në gojë kjo sikurse bëjnë edhe disa që e quajnë veten ekonomistë me përvojë.
Kam bërë studime jashtë shtetit...
Bravo!
Vërtet të lumtë!
Por, kjo nuk jep asgjë më shumë, asnjë privilegj në krahasim me ata të rinj që kanë bërë studimet në Shqipëri. Nuk është gjë që thuhet për lavdërim në televizion kjo. Është cinizëm dhe vetëlavdërim i pamerituar. Na trego se çfarë di më shumë se të tjerët, veç disa manierave oksidentale të jashtme që nuk shkojnë fare me tipin antropologjik kulturor shqiptar.
Ke bërë studime për atë pjesë të politikës apo të reformave që po propozon ? Ku janë këto studime ? Këtë na thuaj. Është një politikë e opinionit sikurse ajo që bëhet prej vitesh në Shqipëri.
Disa të rinj e kanë shpalosur iniciativën politike të tanishme si vazhdim i aktivitetit të tyre militant të mëparshëm. Mund të jesh apo jo dakord me ta kjo është punë tjetër. Varet nga ngjyresa politike e gjithkujt. Por, nuk mund t’iu mohosh përvojën. Por ka të rinj të katapultuar që si disa politikanë të moshave të pjekura që kurrë nuk do ta marrin vesh nëse dikush ka dhënë ndonjë votë për ta. Nga bankat e shkollës, ose nga një përvojë politike pothuajse e munguar, drejt e të parashutuar në lista kandidatësh për deputetë. Ky është një nga veset e panumërt të sistemit të tanishëm elektoral. Asnjë kandidat nuk e di sesa e ka peshën elektorale. Të gjithë në fund do të dalin të fituar. Nuk do të ketë të humbur. Për të gjithë fajin humbjes e kanë të tjerët. Kjo peshon mbi të gjithë kandidatët, por më shumë mbi të rinjtë, të cilët e kanë nevojë urgjente ta dinë realisht sesa peshojnë në elektorat. Përndryshe ne do ta shndërrojmë ligjërimin politik, sikurse tani, në një marketing politik, ku gjithsecili kandidat, i ri apo i vjetër, lëvdon meritat e vetes. Ndërsa disa që kanë vite në politikë vërtet kanë përse krenohen, por edhe se përse i njohin gabimet që kanë bërë, i folurit, të bërit politikë në formë marketingu mediatik është i papranueshëm për kandidatët e rinj, që ende nuk e dinë, nuk kanë për ta ditur kurrë, ndofta, sesa peshojnë elektoralisht.
Modestia të çon më larg politikisht.
Mimetizmi më duket problemi më i madh te kandidatët e rinj për të hyrë në politikë.
Konformizmi me politikën partiake dhe të atyre që i kanë futur në politikë. Mungesa e mendimit të pavarur kritik. Politizimi i shpejtë dhe rreshtimi i tejdisiplinuar politikisht. Mungesa e një përqasje të re të politikës. Një farë lehtësie në alternativat që sugjerojnë për ta ndryshuar botën.
Unë nuk jam partizan i integrimit të tyre asimilues te brezi i politikanëve më të rritur në moshë. Unë jam pikërisht që të fillojë të shfaqet në politikë kontradikta e brezave, ndryshimi. Çdo kohë përgatit politikanët e vet. Në rast se vitet ’90 e zunë Shqipërinë me politikanë amatorë që u formuan, mirë a keq, në betejat politike të kohës, tani nuk na falet që të mos rriten gradualisht politikanët e rinj që do t’i shërbejnë vendin në shekullin e njëzetenjë. Por, ata duhet të përgatiten për të ardhmen. Unë kam shpresë më shumë te ata të rinj që dalin në skenën politike si alternativa të lidershipeve politike aktuale sesa tek ata që përbëjnë thjesht një vazhdimësi, apo që katapultohen në politikë pa një përvojë të gjatë politike në terren. Duhet kuptuar se Kuvendi mban në dorë fatet e kombit. Është gjëja më serioze në botë.
Të jesh deputet pretendohet të jetë finishi, fundi, i një karriere politike. A mund të jetë edhe fillimi? Nuk e di. Nuk e kam parë gjetiu. Deputetët duhet të jenë sprovuar në beteja politike, psikologjike, inteligjence, maturie pararendëse. Është e detyrueshme kjo. Ka që e kanë këtë përvojë, ka të tjerë që iu mungon krejtësisht. Betejat në studiot televizive, në podiume, janë virtuale, jeta reale është tjetër gjë. Kemi nevojë ta dimë nëse e dinë ta bëjnë këtë dallim.
Duket se sistemi i ri zgjedhor po çon drejt një fushate elektorale shumë mediatike, gjë që ka sjellë rritjen e rolit të mediave, por edhe të tendencës së politikës për t’u imponuar apo afruar me to. Si e konsideroni rolin e mediave? A mendoni se janë të përgatitura mediat shqiptare për një mision të
Mendoj se mediat shqiptare janë të përgatitura të ndërmarrin një mision të tillë sikurse është paraqitja e politikës shqiptare përpara një publiku që brenda disa javësh do të jetë edhe elektorat. Të kuptohemi aq sa mund të jetë e përgatitur media. Në asnjë vend nuk pritet nga media që t’i japë leksione etike politikës.
Aktualisht, mediat përjetojnë disa procese që lidhen me fushatën paraelektorale. Në radhë të parë ka një epërsi ndikimi të televizionit mbi audiencën sesa të shtypit të shkruar mbi lexuesit. Televizioni bën kërdinë në mbrëmje. Ka një politizim të tejskajshëm të emisioneve. Më duket se ka ardhur shpejt. Ka një bombardim të publikut në mbrëmje me lajme, biseda politike, probleme elektorale. Më duket e tejngopur. Nuk ka përse të ndodhë kështu. Gazetarët televizivë i shoh shumë të tërhequr e pasivë në rolin e tyre të mediatorit, animatorit, shpërndarësit të fjalës. Shpesh e lënë emisionin të ndjekë rrjedhën e tij duke i lënë politikanët në studio të dalin jashtë kontrollit etik apo jashtë teme. Përjetojnë mediat tona atë prirje narciste të përbotshme gati ku gazetarët flasin në televizion për veten e tyre, televizioni vendos në skenë ata që e prodhojnë shfaqjen televizive. Janë forma autizmi në komunikim. Mediat po zëvendësojnë partitë politike. Një gazetar i mirë në shërbimin tënd vlen më shumë se dhjetë nënsekretarë partie për propagandën apo për raportin. Televizionet dhe mediat në përgjithësi neutralizojnë punën e njëra-tjetrës. Në fund rezultati i mediave do të jetë si kudo: zero influencë. Barazim. Elektorati do të shkojë këtë radhë në kutitë e votimit jo i ndikuar nga fjalët që janë zhvleftësuar, por duke përllogaritur interesat e veta. Kemi media opinioni dhe shumë pak media investigimi. Nuk kuptohen fare se çfarë ndodh në gjyqe, në bregdet, në takime politikanësh. Jepet direkt opinioni për ngjarjen, por nuk relatohet me kompetencë vetë ngjarja. Publiku ushqehet me një vagëllimë opinionesh. Aspektet juridike, gjeostrategjike, ekonomike të çështjeve mbesin pothuajse të paprekura. Nuk dihet nëse përdorin mediat politikanët apo janë politikanët që përdorin mediat. Kush e ka “blerë” palën tjetër? Apo të dyja janë shkrirë në një, sikurse ndodh në një model plutokratik? Dikur kishim media partiake, tani kemi media të pavarura, por që paraqesin anësi politike krejt të dukshme.