FMN të hënën zhbllokon këstin e gjashtë për Greqinë

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka bërë të ditur se parashikon zhbllokimin e këstit të gjashtë të huasë për Greqinë, të hënën, dhe në vazhdim dërgimin e një misioni vlerësimi në Athinë i cili do të fillojë punë nga 12 dhjetori.
Një zëdhënës i FMN-së, Gerry Rice, bëri të ditur në Uashington se këshilli administrativ do të mblidhet të hënën për të shqyrtuar derdhjen e këtij kësti, në kuadrin e një huaje prej 30 miliardë eurosh e miratuar në maj 2010.
Ministrat e Financave të Eurozonës dhanë të martën miratimin për derdhjen bashkërisht të një kësti të ndihmës së miratuar prej tyre për Greqinë. Kështu, ajo pritet të marrë tetë miliardë euro.
“Është parashikuar që misioni në Athinë të rifillojë në datën 12 dhe të vazhdojë deri më 16 dhjetor dhe ai do të zhvillojë bisedime paraprake lidhur me politikat e nevojshme për të bërë përparime drejt objektivave të përgjithshme ekonomike të Greqisë”, shtoi ai.
Zëdhënësi mohoi zërat për përgatitjen e një huaje të re për Greqinë.