E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, s’ka më mbetës në provime



Konfuzë nëse do të futen në provimet me zgjedhje edhe atëherë kur janë jo kalues në njërin nga provimet e detyruara. Maturantët të mësuar me rregullat e vjetra,vijojnë të kenë paqartësi në këtë pikë. Por ndryshe nga më parë këtë vit, të katër provimet e Maturës Shtetërore do të kenë të njëjtën trajtesë. Nëse një nxënës rezulton mbetës në njërin prej provimeve të detyruara ,atij nuk i hiqet e drejta për të dhënë provimet me zgjedhje. Në këtë mënyrë maturantët do të jenë të angazhuar në procesin e Maturës Shtetërore gjatë gjithë kohës dhe nuk do të stopojnë me dy provimet e para. Sipas krerëve të Ministrisë së Arsimit ,ky ndryshim vjen për t’i dhënë dorë përmirësimit të cilësisë së Maturës Shtetërore. Po kështu kandidatët që në vitet shkollore 2005-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimeve të larta, për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur e kërkojnë ata vetë futjen në testim. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këtë lëndë do të merren koeficientet e këtij vit. Ata janë bërë tashmë publikë nga Ministria e Arsimit. Në rastin kur kandidatët i rijapin provimet me zgjedhje,ata duhet të drejtohen pranë shkollave të mesme ku kanë studiuar. Për këtë, ata duhet të bëjnë kërkesë pranë komisionit të Maturës të rrethit ku banojnë, duke paraqitur dëftesën origjinale të pjekurisë dhe mandatpagesën e një tarife fikse. Gjithashtu ata duhet të kenë plotësuar formularin A1.
Pyetjet e testeve
Nga sa pohojnë burime nga AVA, testet për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajnë 25 pyetje. Prej tyre 13 do të jenë me alternativa, që do të vlerësohen në total me 13 pikë nëse janë të sakta dhe 12 pyetje me zhvillim. Nëse maturanti nuk gabon, për këtë kategori përgjigjesh do të marrë 37 pikë. Për çdo provim të detyruar, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë. Sa i përket testeve të provimeve me zgjedhje, secila lëndë do të përmbajnë 20 pyetje, prej tyre 10 me alternativa dhe 10 pyetje me zhvillim. Për të pasur rezultate maksimale, çdo kandidat i shkollave të larta duhet të grumbullojë 40 pikë. Sidomos për këto lëndë i është dhënë më shumë prioritet pyetjeve me zhvillim, të cilat nëse kanë përgjigje të sakta do të vlerësohen me 30 pikë, ndërsa ato me alternativa në total kanë 10 pikë. Për të njëjtin numër pyetjesh, raporti i vlerësimit është 3 me 1. Për plotësimin e testeve kandidatët për në shkollat e larta do të kenë 4 orë kohë në dispozicion të tyre.
Korrigjimi
Këtë vit provimet nuk do të korrigjohen vetëm një herë, por dy herë. Sistemi i vjetër i rikorrigjimit, i cili rezultoi jo efektiv është hequr. Gjatë viteve të mëparshme të Maturës, 3% për qind e maturantëve kërkonin rikorrigjim të testit e në shumë raste rikorrigjimi nxirrte rezultate të reja. Për të rritur akoma më shumë cilësinë e procesit të maturës shtetërore, provimet me zgjedhje do të organizohen në qendra të përqendruara në çdo qark të vendit. Në rregulloren e provimeve përcaktohet se maturantët do të shpallen fitues vetëm nëse kanë mbledhur pikët e nevojshme në preferencën më të lartë. Kështu, pas mbylljes së procesit të llogaritjes së të pesë komponentëve të Maturës 2010, për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara. Një kandidat mund ta shohë veten në fillimet e listës në disa programe studimi, por ai do të jetë fitues vetëm në atë program që i takon preferencës së tij më të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›