E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN zyrtarizon rritjen ekonomike 9.9 për qind

 

Fondi Monetar ka zyrtarizuar rritjen ekonomike prej 9.9 për qind të ekonomisë shqiptare deri në fund të muajt shtator. Përmes një deklarate për media, INSTAT ka publikuar edhe faksimilen përmes së cilës FMN-ë thekson se INSTAT, ka bërë progres në përpilimin e të dhënave. Në deklaratën e INSTAT thuhet se eksperti i FMN-së, Michael Andreës, i cili bashkëpunoi në periudhën 2-21 nëntor 2008, ka theksuar se “progresi në Shqipëri vihet re kryesisht në përllogaritjen e të dhënave tremujore që u publikuan në dhjetor 2008 dhe përmirësimin e saktësisë së agregateve të GDP-së vjetore”. Sipas tij, njofton INSTAT, “Një aspekt me mjaft rëndësi që gjithashtu demonstron për një progres të mirë në llogaritje, është përfshirja e burimeve të reja të të dhënave në përllogaritjet vjetore, pavarësisht se ka ende vend për të kanalizuar burimet e nevojshme për përpilimin e të dhënave statistikore kombëtare”. Ky raport u hartua në përgjigje të kërkesës së INSTAT për asistencë teknike dhe përmban komente nga stafi i FMN-së si dhe këshilla teknike. Ndër të tjera, në të përfshihet një plan aksioni dhe një program pune, që do të shërbejë për implementimin e aksioneve të rekomanduara dhe për të cilin është rënë dakord edhe me stafin e INSTAT. Publikimi i kësaj shifre nga ana e INSTAT-it u bë objekt debati. Vetëm pak kohë më parë gjatë mbledhjes së parë të këtij viti për Komitetin e Planifikimit të Strategjive, u vunë re dy qëndrime të kundërta lidhur me rritjen reale në vend. Për kreun e qeverisë Berisha, rritja ekonomike është 9.9 për qind, ndërsa sipas drejtuesve të Ministrisë së Financave, sipas të cilëve rritja ekonomike për tre tremujorët e parë të vitit të kaluar është 7.2%. Ndërkohë sipas ndërkombëtareve si pasojë e krizës globale, rritja ekonomike e shumë vendeve do të tkurret, ku një ndër to është edhe ekonomia shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›