E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore 5 milionë dollarë për pensionet

 

Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore ka aprovuar dje një kredi prej 5 milionë dollarësh, si financim shtesë për Projektin e shpërndarjes së shërbimeve sociale për Shqipërinë. Ky financim shtesë do të plotësojë kredinë fillestare prej 10 milionë dollarësh dhe do të përdoret për zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese të projektit mbi reformën administrative të sistemit të pensioneve në Shqipëri. “Aktivitetet që do të mbulojë ky financim - tha Lorena Kostallari, Drejtuesja e Projektit të Shpërndarjes së Shërbimeve Sociale, - do të mbështesin reformën administrative të sistemit të pensioneve, ngritjen e Arkivës Qendrore të Kontribuesve dhe Përfituesve, krijimin e kapaciteteve për politikat e zhvillimit të pensioneve, si dhe edukimin publik mbi sistemin e pensioneve”. Projekti ka filluar të zbatohet në janar 2002, duke pasur si objektiv kryesor përmirësimin e standardeve të jetesës së të varfërve dhe grupeve vulnerabël të popullsisë në Shqipëri. Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1991. Deri më sot Banka Botërore ka kontribuar rreth 1.4 miliardë dollarë për 68 projekte zhvillimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›