Ruli fton gjermanët të investojnë në energjetikë
Shqipëria ka një rrjet hidrik shumë të pasur dhe vetëm 35 për qind e tij është shfrytëzuar. Kështu është shprehur dje kreu i Ministrisë së Energjetikës, Genc Ruli, gjatë një takimi të zhvilluar me investitorë gjermanë. Gjatë fjalës së tij, Ruli i ftoi investitorët gjermanë që të investojnë në sektorin energjetik. “Vendi ynë, siç tashmë dihet, ka një potencial të madh hidroenergjie, nga i cili vetëm rreth 35% e tij është shfrytëzuar deri tani, prandaj është detyra jonë që t’i identifikojmë potencialet e mundshme dhe të përmirësojmë gjithmonë edhe më tepër kuadrin e nevojshëm ligjor, rregullator dhe institucional për zhvillimin e tyre”, tha ministri. Madje sipas tij, aktualisht ekspertët e kësaj ministrie po punojnë për hartimin e një ligji të ri për burimet e rinovueshme. Gjithashtu, qeveria do të hartojë dhe një ligj të ri për sektorin e energjisë elektrike, i cili parashikohet që të përfundojë brenda këtij viti. Në konferencën e djeshme ka qenë i pranishëm edhe ambasadori gjerman për Shqipërinë, Bern Bohard, i cili theksoi që është prioritet ekonomik zhvillimi i një programi për ndërtimin e HEC-ve. Me miratimin e ligjit të ri të koncesioneve, qeveria shqiptare ka miratuar dhënien me koncesion të një sërë hec-esh të vegjël.