FMN,nis bisedimet me Serbinë për një huadhënie
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka filluar në Beograd ditën e hënë diskutimet me autoritetet serbe që kërkojnë të marrin një hua të re për të kapërcyer efektet e krizës ekonomike. Autoritetet serbe që kanë marrë tashmë gjatë muajit janar një hua prej 350 milionë dollarësh, njoftuan më parë se do t'i kërkonin FMN-së një hua tjetër prej dy miliardë dollarësh. Kjo ndihmë e re pritet të mbështesë veçanërisht monedhën kombëtare serbe, dinarin, që ka humbur më shumë se 25 përqind të vlerës së tij që prej fillimit të efekteve të krizës ekonomike botërore në Serbi. Sipas autoriteteve serbe, diskutimet me FMN-në do të përqendrohen veçanërisht në uljen e shpenzimeve buxhetore si dhe mbi defiçitin buxhetor që do të jetë më i lartë se 1,5 përqind i Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, të parashikuar gjatë bisedimeve të mëparshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Sipas B92, bisedimet me FMN-në do të zgjasin 10 ditë. Serbia ka marrë tashmë në fillim të marsit një hua nga Banka Botërore prej 34,9 milionë eurosh për të mbështetur buxhetin e saj.