Maqedoni,OSBE:Fushata parazgjedhore e rregullt

Raporti më i fundit i misionit OSBE - ODIHR tregon se fushata parazgjedhore në Maqedoni është duke u zhvilluar me aktivitete të shumta politike, por pa asnjë incident apo parregullsi. "Fushata parazgjedhore e cila zyrtarisht filloi më 2 mars, po pasohet me shumë aktivitete politike të realizuara nga partitë dhe kandidatët në garë për kryetar komunash dhe pozitën e presidentit. Gjithandej rrugëve shihen afishe dhe materiale propaganduese të partive politike, të cilat në platformat e tyre janë fokusuar në çështjet e brendshme politike", bëhet e ditur në raportin e dytë të OSBE-ODIHR-it për fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve presidenciale dhe vendore në Maqedoni, për periudhën nga 29 shkurti deri më 10 mars. Në raport theksohet se kandidatët presidencialë dhe liderët e partive politike angazhohen për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe publikisht ftojnë elektoratin e tyre që t'iu shmangen incidenteve, si në rastet e zgjedhjeve të kaluara. Raporti në fjalë thekson se retorika gjatë kohës së fushatës, është e shumë e matur, kurse 36 partitë kanë firmosur kodin e mirësjelljes për këtë proces zgjedhor. Misioni i OSBE-ODIHR-it bën të ditur gjatë kësaj periudhe të fushatës parazgjedhore kanë ardhur vetëm disa ankesa për incidente të vogla. Ndërkohë, sipas raportit, edhe mediat kanë mbuluar në masë të madhe fushatën parazgjedhore dhe aktivitet e kandidatëve të partive politike.