FOKUS – BE: E papranueshme që bisedimet Rusi-SHBA bëhen pa ne dhe Ukrainën

BRUKSEL, 18 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u takua me të dërguarin special të SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg në Bruksel për të përsëritur mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kievin.
Takimi i tyre erdhi pasi diplomatët e lartë amerikanë dhe rusë zhvilluan bisedime në Riad për të përmirësuar lidhjet dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pa praninë e përfaqësuesve të Kievit apo BE-së.
Von der Leyen “përsëriti se çdo rezolutë duhet të respektojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, të mbështetur nga garanci të forta sigurie”.
Ajo gjithashtu “shprehu gatishmërinë e BE-së për të punuar së bashku me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe për të ndihmuar në sigurimin e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme që Ukraina dhe populli i saj me të drejtë meritojnë”.
Vendet e BE-së dhe Ukraina janë të alarmuar nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që kërkojnë një marrëveshje dypalëshe paqeje.
Për të përshpejtuar procesin e negociatave me Moskën, administrata Trump ka përshkruar një plan që do të përjashtonte Ukrainën nga NATO, do t’i jepte koncesione territoriale Rusisë dhe do të mbyllte derën për pjesëmarrjen e SHBA në operacionet e ardhshme paqeruajtëse. /os/