Janë vjedhur nudot e famshme të Vangjush Mios?!
Në Korçë sot nuk ka patur bisedë tjetër veç asaj që nëse rezulton e vërtetë mund të jetë një nga vjedhjet më të mëdha në vlerë kulturore dhe monetare në historinë e vendit. Pasdite lajmi ka nisur të qarkullojë edhe në të gjitha sajtet online të gazetave të mëdha. Por situata është e paqartë. Policia ka konfirmuar që ka nisur një hetim, ndërkohë që përfaqësues të Ministrisë së Kulturës kanë mbërritur me urgjencë në Korçë.
Mediat cituan fillimisht drejtorin e qendrës Vangjush Mio, Vladimir Topi, sipas të cilit: Inventari u bë në janar të vitit 2011 dhe pikturat ishin, nuk mungonte asgjë. Tani nuk gjenden. Vlera e përgjithshme monetare e pikturave që supozohen të zhdukura (veçanërisht nudot e famshme të Mios – më e njohura prej tyre, në foto), sipas drejtorit Topi llogaritet në miliona dollarë me tregun e sotëm.
I akuzuari për humbjen e pikturave është një piktor me emrin Sotiraq Zega. I cituar nga mediat lokale ai thotë: “Kam punuar për 10 vjet në Galerinë e Arteve, por edhe kur e mora këtë detyrë edhe kur u largova nga Galeria nuk u krye ndonjë inventar. E mora pa inventar, e dorëzova pa inventar”.
Galeria e Arteve në Korçë është nga më të pasurat në vend: ka 632 piktura, nga të cilat 61 i përkasin Vangjush Mios, por aty gjenden edhe piktura të Sali Shijakut, Shaban Hadërit, Alush Himës, Vilson Kilicës, Guri Madhit etj.
http://respublica.al/artikuj/2012/7/9/jane-vjedhur-nudot-e-famshme-te-vangjush-mios