FRD hap degën në Lushnje. Oketa: Marrëveshja PD- PS, e paprinciptë. Partia jonë ka ndezur shpresën
Fryma e Re Demokratike hapi sot degën e saj në Lushnje, në qytetin ku 92 vjet më parë nisi rrugën pavarësimi i Shqipërisë dhe u hodhën themelet e konsolidimit të shtetit shqiptar.
Indrit Sefa, koordinatori i FRD-së për Lushnjen, deklaroi se Lushnja ka qenë gjithmonë një mbështetëse e pakursyer e së djathtës, por unë ju pyes juve zoti Kryeministër: Çfarë mori prej saj? Sa investime janë bërë në Lushnje? Sa herë më të vogla janë ato në raport me popullsinë se investimet që kanë marrë rrethet e tjera?.
Harresën e qeverive të djathta për Lushnjen e theksoi në fjalën e tij dhe anëtari i Grupit Nismëtar të Frymës së Re Demokratike, zoti Stavri Ristani. Shqipëria e sotme ka frikë të flasë njësoj si Shqipëria e djeshme, Shqipëria e sotme vuan sot nga varfëria njësoj si dje, Shqipëria e sotme gjendet në të njëjtin centralizim të pushteteve si dje, Shqipëria e sotme është po njësoj si dje, jashtë familjes evropiane ku natyrshëm duhet të ishte.
Në mbyllje të aktivitetit përshëndeti dhe Gazmend Oketa, kryetari i Grupit Nismëtar të FRD-së. Në fjalën e tij Oketa foli dhe për marrëveshjet e fundit mes dy forcave të mëdha politike, PD-PS duke i quajtur ato arnime që nuk ndërtohen mbi parime kushtetuese, nuk ndërtohen duke pasur prioritet të ardhmen europiane të Shqipërisë, por ndërtohet mbi interesat e dy individëve të etur për pushtet absolut.
Në ndryshim nga këto marrëveshjeve të paprincipta, ne mblidhemi sot në qytetin e Lushnjes, për një projekt politik, i cili ka ndezur shpresën dhe besimin e qytetarëve shqiptarë se Shqipëria që ne duam, mund të bëhet, dhe atë do ta bëjmë të gjithë së bashku, deklaroi Oketa.