E Diel, 1 Nëntor 2026

PS kërkon shtyrjen e votimit për imunitetin. Ruçi: Ja si mund të garantojmë një proces transparent

Share

Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi i është drejtuar me një letër ambasadorëve të akredituar në Tiranë dhe kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, në lidhje me mënyrën e shqyrtimit të ndryshimeve në ligjin për imunitetin në seancën e datës 6 gusht.

Letra e siguruar nga Top-Channel nis me një sqarim rreth nenit 83 të Kushtetutës dhe rregullores së amenduar të Parlamentit, në tetor të vitit 1998 për ndryshimet kushtetuese.

“Si ndryshime shumë të rëndësishme dhe një moment vendimtar për demokracinë parlamentare mes ligjbërësve dhe popullit shqiptar, PS i sheh ndryshimet kushtetuese si të një rëndësie të veçantë dhe po ashtu edhe vëmendja duhet të jetë e veçantë për të garantuar një proçes transparent”, shkruan Ruçi në letër.

Ai thotë se të tilla nisma ligjore nuk duhet të jenë të limituara, ku të kontribuojnë vetëm përfaqësuesit e partive në Parlament, por sipas tij është e domosdoshme të përfshihen mbi të gjitha qytetarët shqiptarë, ekspertët konstitucionalistë, akademikët, profesorët si dhe ndihma ndërkombëtare për këto çështje. Zoti Ruçi liston në letër disa propozime në emër të Partisë Socialiste:

1 – Të mblidhet konferenca e kryetarëve dhe të hartohet një projekt për ndryshimet kushtetuese, për ti paraqitur në sesionin e ardhshëm plenar të Parlamentit, në shtator, duke i përfshirë në programin e punës së Kuvendit.

2 – Të publikohet ky projekt në faqen e internetit të Parlamentit që qytetarët të kenë mundësi për tu informuar rreth tij.

3 – Të ftohen grupe të ndryshme interesi për të sjellë opinionet e tyre dhe komentet me propozimet përkatëse për ndryshimet.

4 – Të organizohet një takim mes Këshillit të Legjislacionit dhe Komitetit të të drejtave të njeriut për të bërë të mundur përçimin tek publiku të draft/propozimeve, duke përfshirë edhe ekspertët konstitucionalistë në proces.

5 – Projekti me ndryshime ti dërgohet organeve kushtetuese si Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe grupeve të interesit të prekura nga këto ndryshime, që propozohen për ti lejuar ata të sjellin këndvështrimin e tyre duke shprehur opinionin mbi këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›